Pamjet që Bardhi i ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook, shfaqin qendrat e votimit nr. 3147 dhe nr. 3150, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, të cilat sipas zyrtarit demokrat, provojnë atë që opozita ka thënë që ditën e parë, se votimi i lirë u shndërrua në votim të kontrolluar deri tek kutia e votimit.
Zgjedhjet, sipas Bardhit, nënkuptojnë votim të lirë dhe jo terror nga banda elektorale e Belinda Ballukut.
‘11 Maji ka hyrë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri si farsa elektorale më e shëmtuar e organizuar ndonjëherë’, përmbyll reagimin e tij Gazment Bardhi.
Postimi
Episodi 4 / VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ZGJEDHORE
Mungesa e bilancit qeverisës dhe mashtrimi 12 vjeçar, bënë që në qarkun e Fierit patronazhimi të strukturohej fiks si një organizatë terroriste. Qytetarët nuk duhej të terrorizoheshin nga banda e Belinda Ballukut vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por ditën e votimit duhet të kontrollohej çdo votë që hidhej në kuti.
Pamjet më poshtë të KQZ-së, në qendrat e votimit nr. 3147 dhe nr. 3150, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, provojnë atë që opozita ka thënë që ditën e parë, se votimi i lirë u shndërrua në votim të kontrolluar deri tek kutia e votimit.
Pamjet tregojnë sesi në dhjetra raste qytetarët votojnë duke pasur patronazhistin e PS tek koka apo sesi vëzhgues e patronazhistë të PS votojnë në emër të qytetarëve. Zgjedhjet nënkuptojnë votim të lirë dhe jo terror nga banda elektorale e Belinda Ballukut. 11 Maji ka hyrë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri si farsa elektorale më e shëmtuar e organizuar ndonjëherë.