Berisha ngjit majën 1800 metra/ Udhëtim drejt rinisë time!

Nga Sali BERISHA

Të dashur miq, pas darkës festive, më datë 14 gusht, pas një mëngjesi me prodhime bjeshke së bashku me mikpritësin Ganiun, familjarët e tij dhe miqtë gjermanë, si dhe me Abi Malltezin dhe Genti Strazimirin, nisëm udhëtimin drejt Majës së Çorovodës, rreth 1800 m lartësi. Këtë udhëtim e quajta “udhëtimi drejt rinisë time”, ose më saktë, rikthim në rininë time.

Deri në moshën 27-vjeçare, çdo verë e kam kaluar në bjeshkë, në Alpe. Udhëtimet e gjata, ngjitjet në maja, herë edhe të thepisura, si alpinist popullor dhe noti në ujërat e kristalta të lumenjve, që shpesh vinin nga shkrirja e borës, së bashku me leximin plot pasion të librave, mbushnin ditët e jetës sime “alpine”. Kisha ngjitur çdo majë që rrokte syri, nga Shkëlzeni te Lugu i Gusanit, përballë Gjerovicës.

Kurse tani po nisesha drejt një maje që nuk e kisha parë kurrë, por që më tërhiqte si magnet, njësoj si majat e bjeshkëve të mia. Teknikën e kisha, por duhej edhe forca. Udha kalonte nëpër një luginë të rrethuar nga të dy anët me bredha madhështorë. Në të dy anët e saj, banorët kishin ndërtuar vila druri të bukura për pushime verore. Refuzova makinën sa herë që m’u sugjerua në të përpjetat e forta.

Gjatë ecjes bëmë dy pushime rreth 15 minutëshe dhe, pas afro 10 mijë hapash ngjitjeje, arritëm në majën e Çorovodës, në 1800 metra lartësi, ku ndahet kufiri midis Kosovës dhe Serbisë (Sanxhakut). Pamja që hapej nga njëra anë Kosova, nga tjetra Sanxhaku ishte e pafund dhe madhështore. Në majë ndodhej edhe një liqen i vogël, i cili, edhe në këtë verë të thatë, kishte ujë dhe e zbukuronte si një diamant në kurorën e saj. Aty ishte edhe një fermë kuajsh të racave të ndryshme, shumë mirë të mbajtur dhe të bukur.

Nga Istogu e Peja, të rinj vinin këtu me motorçikleta dhe shëtisnin me kuajt. Disa nga miqtë e mi zgjodhën kuajt që dëshironin dhe kalëruan për t’u zbavitur. I zoti i fermës solli edhe për mua një kalë të bukur, allçë, me një larë të bardhë në ballë. U afrova, por me “shpirt të ndezur dhe zemër të thyer”, siç thotë Edgar Allan Poe, dhe e përkëdhela. Shpirti ato çaste u ndez vërtet, sepse u rizgjua tek unë pasioni i fëmijërisë për kalin, të cilin e doja shumë dhe e kalëroja në bjeshkë por edhe ne shtepi (vërri) me ose pa shalë, me ose pa samar, në livadhe që ishin një vrap kali. Por zemra ime ishte e thyer, sepse, megjithë pasionin dhe mundësitë që kisha pasur në rini dhe më pas nuk kisha kalëruar më kurrë më. Vetëtimthi mendova se nuk e meritoja kënaqësinë dhe as jehonën e lajmit, ndaj u ktheva dhe u ula aty ku isha. U ktheva me zemër të thyer.

Në majën e Çorovodës kishte edhe një muranë për një të rënë nga barbarët serbë. Në fakt, Lugu i Butë ishte edhe Lugu i Gjakut. Në luftën e fundit, hordhitë e ushtrisë serbe, nga maja e Çorovodës, ishin dyndur në Lugun e Butë dhe, në një akt barbarie e gjenocidi, kishin arrestuar në stanet e tyre ose në pyll 53 gra, fëmijë, burra të moshuar e invalidë, dhe i kishin ekzekutuar vetëm pse ishin të etnisë shqiptare.

Në orën 17:00 u nisëm nga maja e Çorovodës dhe u kthyem në shtëpinë e mikpritësve tanë. U mbyll kështu një udhëtim me mbresa të thella që nuk do ta harroj kurrë. Ndaj, edhe një herë, falënderoj Ganiun dhe të gjithë familjen e rrethin e tij për mundësinë që krijuan dhe organizimin e përsosur të atij udhëtimi në një zonë kaq të bukur, por edhe epike. Malet, bjeshkët janë epike!

About Redaksia

Check Also

Pacolli paralajmëron Ramën

Behgjet PACOLLI Ne jami kthyer në një gjendje që i ngjan një DIGE që duron …