Ish-deputeti i PS shton akuzat: Rama është një rast klinik

Ish-deputeti i PS, Nazmir Bilani ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës. Me anë të një shënimi në rrjetet sociale, Bilani shkruan se, Edi Rama është një rast klinik ku arroganca, injoranca dhe fantazia kriminale janë bashkuar në të njëjtin trup të gjatë e të zbrazët.

“Edi Rama është një rast klinik ku arroganca, injoranca dhe fantazia kriminale janë bashkuar në të njëjtin trup të gjatë e të zbrazët. Në fillim të çdo premtimi, ai shfaqet si shpëtimtari i kombit; në fund, si mjeshtri i përlarjes së buxhetit.

Një njeri që qesh me ironi edhe kur e kapin në flagrancë me premtimin në dorë dhe në vend të ndjesës, shpik një gënjeshtër të re. Një artist i falsifikimit moral, që përdor VKM-të si furça, dhe ligjet si kanavacë, për të pikturuar çdo krim shtetëror me ngjyrat e ‘arsyes shtetërore’.

Projekti i tij politik është i thjeshtë: gënje, vidh, pastro paratë, dhe përsërite ciklin.

Siç tha Hannah Arendt, ‘Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është fajtor’-dhe Rama e ka kthyer këtë në art kombëtar. Çdo aferë bëhet ‘punë qeverie’, çdo vjedhje bëhet ‘investim strategjik’.

Në mungesë të aftësisë për të ndërtuar liri dhe drejtësi, ai ndërton fasada milionash, duke e ditur që një popull i mahnitur me ngjyrat e fasadës nuk sheh mizerjen pas saj.

Bertrand Russell e kishte paralajmëruar: ‘Qeveritë që duan të duken të dobishme pa qenë të tilla, përdorin projekte të mëdha për të mbuluar mungesën e lirive dhe drejtësisë.’ Rama, thjesht, e ka marrë këtë si manual pune.

Ndërkohë, investitorët e tij ‘strategjikë’ janë shpesh fantazma ekonomike, pa të ardhura ligjore, por me valixhe plot me para të pista. Tenderat publikë fitohen nga kompani që nuk plotësojnë as kushtin e parë ligjor, por që kanë një meritë të vetme: afërsinë me ‘artistin’ e madh.

Dhe publiku?

Shumë prej tyre, të ulur në divan, e shohin këtë shfaqje si reality show, dhe nuk e pranojnë dot që janë gënjyer. Sepse është më e lehtë të jesh i gënjyer, sesa të pranosh se je naiv. Rama e di këtë. Dhe kur tha ‘Nuk keni parë gjë akoma…’, ai nuk po tallej-thjesht po njoftonte episodin e radhës të serialit të tij të gjatë të shkatërrimit kombëtar”, shkruan Bilani në Facebook.

About Redaksia

Check Also

Zjarret në Gramsh, tre vatra aktive! Flakët përfshijnë edhe Zavalinën në Elbasan

Situata me zjarret në Gramsh vijon të mbetet problematike. Sipas autoriteteve, rezulton se në fshatrat …