Alarmante! Shqipërisë po i “thahet truri”, numri i diplomave të doktoraturave ra me 73% në 2024

Numri i diplomave të doktoraturave po tkurret me shpejtësi këto vitet e fundit, por me 2024 u dhanë vetëm 31 të tilla, ose 73 për qind më pak se me 2023 dhe shumë më pak se me vitin 2017 ku u shpërndanë 890 doktoratura.

Ekspertet e Arsimit i lidhin arsyet e rënies me reduktim drastik të pranimeve në programet e doktoraturës dhe me emigrimin e lartë te të rinjve akademik. Shqipëria po përballet me një hemorragji të humbjes së talenteve drejt vendeve të tjera që ofrojnë kushte më të mira për doktorantë dhe kërkues. Anketat e mëparshme kanë treguar se Shqipëria ka nivelet më të larta të emigrimit të trurit në rang global në dekadën e fundit.

Në Shqipëri, programet doktorale kanë pësuar tranzicion gjatë viteve të fundit. Në vitin 2014, qeveria shqiptare vendosi të mbyllë të gjitha programet e ciklit të tretë të studimeve (doktoraturat) në universitetet publike dhe private, për shkak të shqetësimeve mbi cilësinë dhe shkeljet procedurale. Kjo ndërprerje zgjati për rreth pesë vjet, duke shkaktuar pasoja negative për kërkimin shkencor dhe zhvillimin akademik në vend.

Pas kësaj periudhe, disa universitete kanë rifilluar programet doktorale me kritere më të rrepta. Universiteti Europian i Tiranës (UET) rinisi programin e doktoraturave në vitin 2022, ndërsa Universiteti Bujqësor i Tiranës ka hapur thirrje për aplikime në disa fusha për vitin akademik 2024-2025.

Sakaq, ministria e Arsimit dhe Sportit ka planifikuar të fillojë programe të reja për mbështetjen dhe financimin e doktoraturave në fillim të vitit 2025.

Këto zhvillime ndikojnë negativisht kërkimin shkencor në vend, pikërisht në kohën kur shkenca dhe inovacioni janë vënë në qendër të konkurrencës globale. Shqipëria rrezikon të mbetet në periferi të zhvillimit teknologjik dhe shkencor, pa kapacitete të brendshme për të zhvilluar projekte të rëndësishme.

Nga ana tjetër trupa akademike e universiteteve po plaket, ndërkohë që ka mungesa të brezit të ri me titull doktor. Kjo do të ndikojë në cilësinë e arsimit të lartë dhe në aftësinë për të konkurruar në nivel rajonal dhe europian.

Doktorantët janë të nevojshëm jo vetëm në universitete, por edhe në institucione publike, agjenci zhvillimi, dhe sektorin privat për të analizuar, projektuar dhe zbatuar politika me bazë të dhënash.

BE kërkon nga vendet aspirante si Shqipëria zhvillim të qëndrueshëm të kërkimit shkencor, si pjesë e kapitujve të negociatave në kapitujt 25 dhe 26. Pa doktorantë dhe pa zhvillim shkencor të qëndrueshëm, Shqipëria do ta ketë më të vështirë të përmbushë këto standarde.

Rënia e doktoraturave është një sinjal alarmi për një boshllëk strukturor që po krijohet në sistemin akademik, shkencor dhe zhvillimor të vendit./ Monitor.al

About Redaksia

Check Also

Kush është njeriu qe Rama i dhuron tregtinë e armëve dhe roli i besuar tek financat personale

Në 17 qershor ndodhi një transaksion i çuditshëm biznesi. Timak, një kompani që merret me …