Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët, duke folur për dëmet nga zjarret tha se, qëllimi im është që të ndërgjegjësoj qytetarët se meritojnë zhdëmtimin maksimal për këtë krim shtetëror.
“Cili është qëllimi im sot para jush?
Është të mbroj interesat e qytetarëve të dënuar, sepse duke i njohur si një krim shtetëror, qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për zhdëmtime maksimale, urgjente të të gjitha dëmit të bërë, në banesa, në bahçe, ullishte, bagëti dhe çdo gjë tjetër qindra e qindra fermerëve të dëmtuar.
Pra, sigurisht që, Edi Rama është përgjegjës kryesor dhe e them edhe njëherë, është autori kryesor i këtij krimi shtetëror.
Por nuk është ky qëllimi im kryesor, akuza në këtë rast, qëllimi im kryesor është të ndërgjegjësoj qytetarët e dëmtuar se në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, njohja e përgjegjësisë nga qeveria për krimin shtetëror, përbën detyrim madhor për t’iu përgjigjur zhdëmtimit maksimal të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për çdo dëmtim fizik, për viktimat që u varrosën nga djegiet, për të plagosurit, për bagëtitë, për rrënjët e ullinjve, për pyjet, për bletët dhe çdo gjë tjetër.
Pra, kjo ishte një verë e një krimi monstruoz shtetëror”, tha Berisha.