Fati i mercenarëve që Rama i rrëmbeu LSI-së…

Dy ditë më parë u dha lajmi se SPAK mori në pyetje, për mbi tre orë, ish deputetin e PS-së, Alqi Bllako, që Rama i’a rrëmbeu LSI-së, në kuadër të hetimit që po bën për Eko Parkun në Durrës. Ky është një tjetër skandal i kësaj qeverie, e cila, gjoja me pretekstin e tërmetit, anulloi një garë të hapur me tender në vitin 2019 dhe pak ditë më pas e dha pa garë ndërtimin e parkut që do të ngrihej mbi landfillin e Porto Romanos.

Por, interesantja në këtë pikë nuk janë vetëm dyshimet për korrupsion. As fakti se për çdo vjedhje që është bërë në këtë vend SPAK-u shkon tek i ngrati Alqi Bllako, i cili deri më tani ka dy dënime për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit dhe po hetohet edhe për atë të Tiranës.

E bukuara është se Bllako, një ish ushtar i LSI-së, sekretar në ministrinë e Lefter Kokës, sekretar i Përgjithshëm i presidencës në kohën e Metës, e braktisi partinë mëmë se i besoi më shumë Edi Ramës. Dhe vetëm pak kohë më pas, kur sapo qe bërë deputet i socialistëve në zgjedhjet e 2021, përfundoi në burg. Prezenca e tij në kuvend zgjati nga shtatori i këtij viti deri në mars 2022 kur deputetët e PS, votuan pro burgosjes së tij të kërkuar nga SPAK.

Megjithëse i zhgënjyer, ai tentoi të arratisej jashtë, por një premtim i panjohur e ktheu në vend dhe e detyroi të pranojë qelinë, ku gjendet edhe sot pas tre vitesh.

Por ky nuk është i vetmi tradhëtar i Metës, që e ka pësuar keq nga kalimi tek Edi Rama. Ish shefi i tij, Lefter Koka ka ndjekur pak a shumë të njëjtën trajekrore. Sapo u bë deputet i PS në 2021, duke i dhënë fitoren Ramës në Durrës, ai u detyrya të japë dorëheqjen. Në tekstin e këtij hapi të papritur politik, të cilin dukej qartë se nuk e kishte shkruar vetë, ai shprehej: se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, duke pretenduar se po i linte vendin brezit të ri. Por, pak muaj pasi la mandatin ai përfundoi në pranga. Vëllai i tij në një deklaratë publike pohoi se dorëheqjen ia kishte kërkuar Rama, në këmbim të paprekshmërisë nga drejtësia duke thënë se kryeministri e pati mashtruar.

Nuk dihet sa i vërtetë është ky pohim pa dëshmitarë por fakti ngelet se prej tre vitesh Lefter Koka gjendet në burg, si fajtori më i madh deri më tani për ngritjen e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit dhe si i hetuari kryesor për atë të Tiranës.

Në rrugën e vet drejt konvertimit në ramist Lefter Koka tërhoqi edhe Nasip Naçon. Ish ministrin e drejtësisë të kabinetit Rama 1, pasi e joshën fort siç e panë të gjithë në videon e famshme kur Edi dhe Teri, nën avujt e alkoolit i thonin të bashkohej me ta, iu bashkëngjit PS në qarkun e Beratit. Ndryshe nga Koka, ai nuk pati fatin e keq të burgut, por u përdor si limon i shtrydhur vetëm për një mandat. Pasi ia mori LSI-së, Rama nuk e kandidoi më në 2025-ën. Askush nuk ia njohu sakrificën dhe shërbimin. Pak muaj para zgjedhjeve të 2021-shit, Nasip Naço njoftoi largimin e tij nga LSI, duke e konsideruar si “eksperiment politik”. Madje ai tërhoqi me vete edhe deputetin tjetër të Beratit, Gledion Rehovica. Ky i fundit, nën ndikimin e Naços, përmes një mesazhi në janar 2021 njoftoi se kishte vendosur të largohet nga LSI pasi “eksperimenti i LSI-së ka përfunduar”. “LSI një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i LSI-së ka mbaruar. Berati ka nevojë për progres. Tek LSI nuk kam vajtur me tender e nuk po iki me tender tek PS”, tha para zgjedheve 2021 Rehovica.

Aventura e Naços zgjati vetëm katër vite. Kur e morri vesh që ajo mbaroi ai deklaroi me pezëm: Unë ia kam kthyer borxhin PS-së, kisha marrë një mandat në 2009, 2013 dhe 2017. Ia ktheva në 2021. As s’i kam borxh, as më kanë borxh. Tani jam qytetar i lirë”.

Deputeti tjetër Agron Çela e braktisi Ilir Metën në kushte të ndryshme. Ai i ndejti besnik LSI së Kryemadhit edhe në zgjedhjet e 2021, kur dezertuan, Koka, Naço, Bllako. Madje e fitoi mandatin në Shkodër, por më pas nuk i rezistoi tundimit për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, atëherë kur bateritë e pushtetit u fokusuan në marrjen e bashkisë nga Benet Beci.

Që në dhjetor, para fillimit të fushatës, Çela u pa në një foto të përzemërt me Becin dhe Elisa Spiropalin. Më pas ai konvertoi në rilindas dhe kreun lokal të partisë së Lirisë, Edmond Ndou. Pasi u shfaq në Shkodër në krah të Ramës, deputeti, që u bë meme me kërcimin përkrah Elisës, lëshoi thirrje se “duhet t’i japim shansin PS-së që të drejtojë bashkinë në Shkodër pas 30 viteve të drejtimit të PD-së”.

Ndryshe nga kolegët e tij që kishin braktisur partinë duke pëshpëritur nën zë kundër drejtimit të Monikës, Çela po e linte atë pasi në krye ishte rikthyer Ilir Meta. E ndonëse ky i fundit deklaronte se me Çelën nuk humbëm asgjë, sepse iku “një biznesmen që s’ kish folur kurrë kundër qeverisë”, kjo gjë tregonte se efekti korruptiv dhe shantazhues i pushtetit qe bërë i papërballueshëm.

Gjithësesi, pavarësisht shërbimeve, Çela nuk figuroi më në listën e PS për Shkodrën në 2025. Nderi që iu bë atij qe se në listë u zëvendësua nga e bija, Xhenis Çela.

Po një garë lokale, këtë herë e pjesshme, u bë shkak që një tjetër LSI-st, të cilin Rama e pati luftuar pa mëshirë, të detyrohej ti thoshte kryeministrit “babë”. I futur në betejë me Athinën, pas vjedhjes së bashkisë Himarë dhe burgosjes së fituesit të saj Fredi Beleri, Ramës i duhej të korruptonte me doemos një personazh që të qe edhe opozitar edhe minoritar. E këto kushte i përmbushte vetëm ish deputeti i LSI-së për Gjirokastrën deri në 2021-shin, Vangjel Tavo.

Ndonëse e pati zbuar Vangjel Tavon dhe kolegët e tij, në vitin 2017, me pretekstin, se ata e donin pushtetin për tepsinë dhe tavën e të mirave që ofronte. Ndonëse mbylli kufirin katër vite më pas, me justifikim kovidin, që ta privonte atë nga mandati i deputetit, duke penguar ardhjen e minoritarëve për të votuar, Rama vendosi të bëje paqe me të duke i dhuruar në verën e 2024, bashkinë e Himarës. Jo nga dashuria, por nga halli, ai e bëri atë të vetmin ish LSI-st, tradhëtar të Metës, që mban sot një post në hierarkinë rilindase.

Një qokë më e vogël i’u bë edhe tradhëtarit të fundit, Endrit Brahimmlarit. Ish sekretari i përgjithshëm i LSI-së, mori sipas peshës së tij, një vend jo fitues në listën e Tiranës, në zgjedhjet e qershorit, duke u bërë njëri prej të shumtëve që ikja nga partia mëmë, ia prishi karierën politike, ndonëse edhe kaq është shumë më mirë se fati i Kokës apo Bllakos./Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Kush është njeriu qe Rama i dhuron tregtinë e armëve dhe roli i besuar tek financat personale

Në 17 qershor ndodhi një transaksion i çuditshëm biznesi. Timak, një kompani që merret me …