Timak është një kompani e promovuar shumë fort nga qeveria kohët e fundit. Pronarja e saj, Arjeta Puca është ftuar në podcastin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ambientet e kompanisë në Kashar janë vizituar disa herë nga ministra të qeverisë.

 900 0 1755521113xpuca 304

Edi Rama dhe Arjeta Puca

Megjithatë zonja Puca vendosi të shesë 49 për qind të aksioneve të kompanisë së saj flamur, të trumbetuar aq shumë nga qeveria, për një çmim prej vetëm 490 eurosh. Blerësi ishte Ron Yeffet, një izraelit me nënshtetësi shqiptare dhe nën rrogoz shumë i afërt me Edi Ramën.

 

 

 900 0 1755520965xmimi 588

Shitja 49 per qind te aksioneve te Timak per 490 euro

Çfarë e nxiti zonjën Puca të shiste biznesin e saj kaq lirë?

Gjithçka do të bëhej e qartë vetëm dy muaj më vonë. Shitja ishte një qitje me objektiv të qartë, krismat e të cilës u dëgjuan në zyrën e Ardi Veliut.

Monopoli i automjeteve të ushtrisë

Në kulmin e sezonit veror, teksa shumica e shqiptarëve ishin me pushime, saktësisht në datën 4 gusht, shoqëria shtetërore ushtarake Kayo dhe Timak themeluan një kompani të përbashkët. Kompania quhet Timak Defence dhe zotërohet 80 për qind nga Timak dhe 20 për qind nga shoqëria shtetërore Kayo.

 900 0 1755521226xthemelimi 339

Themelimi i Timak Defence

Objekti i shoqërisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike te posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit dhe çdo sistem tjetër, që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura te tjera te sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.

Me pak fjalë, kjo është shoqëria që do të ketë monopolin e furnizimit të ushtrisë, policisë, gardës, emergjencave civile etj.. me automjete. Vendi i ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë do të jetë në ish uzinën e pjesëve të këmbimit të automjeteve, në Shkozë, në godinën ku ndodhej televizoni News 24.

Pesë ditë pasi Ardi Veliu dhe përfaqësuesit e Timak formuan kompaninë e përbashkët, qeveria turri policinë dhe forcat ushtarake duke ngritur zgupthi gazetarët e Newsit nga godina.

Monopoli i furnizimit të shtetit me automjete është një biznes shumë i madh, dhjetra milionë euro në vit. Por akoma mbetet e paqartë se cila është vlera e shtuar që krijon kompania. Duke qenë se Shqipëria nuk prodhon dot automjete, gjasat janë që ky të jetë një tregtim me pak vlerë të shtuar, me kompaninë e re Timak Defence, që importon mjete nga jashtë dhe i përshtat në vend duke ia shitur qeverisë.

Biznesmen apo sekser?

Ron Yeffet nuk është një emër i panjohur për publikun në Shqipëri. Ai tentoi të hynte si themelues i kompanisë Air Albania, por pasi bleu 23 për qind të aksioneve të kompanisë mëmë MDN u largua menjëherë pas një muaji. Flitet pas përplasjeve që pati me Sinan Idrizin. Megjithatë kjo ishte vetëm një nga aventurat e Yeffet në Shqipëri. Të tjerat kanë qenë edhe më të bujshme.

Në janar të këtij viti, ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi publikisht se Rama i kishte kërkuar t’i shiste borxhin publik të Shqipërisë zotit Yeffet.

“Kam një episod më kreun e organizatës dhe një mikun e vet izraelit te kopshti i luleve. Se përveç kopshtit të Edenit, ka edhe dhomën e luleve ku ha. Më ka kërkuar në tryezë me mikun e vet, unë isha përpara daljes në Eurobond, në 2018, që t’ia kaloja borxhin privatish (private selement) mikut të vet. Ka këmbëngulur dy herë. I kam thënë nuk bëhet. Nuk është në interes të Shqipërisë,” deklaroi Ahmetaj në një intervistë për Syri Televizion.

Rama nuk iu përgjigj asnjëherë konkretisht akuzave të rënda të ish zëvendësit të tij Ahmetaj, por u mjaftua duke deklaruar se nuk komentonte akuzat e njerëzve që kanë probleme me drejtësinë. E megjithatë, këtu kishte më shumë se sa thjesht akuzë.

Përveç borxhit, Ron Yeffet tentoi dhe një tjetër aventurë në Shqipëri. Kjo ishte marrja e ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar në territorin e saj edhe njësi rezidenciale.

Edhe ky është një denoncim i bërë nga Ahmetaj, por Kapitali e ka verifikuar atë nga tre burime të pavarura, të cilët ishin të përfshirë në këtë çështje. Në fakt, ky nuk ishte një plan nga hiçi. Zoti Yeffet kishte tentuar diçka të ngjashme në Senegal, me ndërtimin e godinës për delegacionin senegalez në OKB.

Tentativa e privatizimit të truallit sovran të Shqipërisë në SHBA nuk shkoi në fund, pasi u kundërshtua nga ish ministri i Jashtëm në atë kohë, Ditmir Bushati, i cili refuzoi të firmoste tjetërsimin e ambasadës. Por Ron Yeffet nuk u dorëzua.

Miku i kryeminstrit

Zoti Yeffet është një mik i afërt me kryeministrin Edi Rama. Të dy janë parë bashkë në më shumë se një rast.

 900 0 1755520952xroni Me Edin 2 975

Edi Rama dhe Ron Yeffet

Ndërkohë që disa media kanë raportuar se Rama dhe Yeffet janë takuar shpesh edhe jashtë syve publikë. Një takim i tillë mendohet se ka ndodhur në sallën VIP të një aeroporti.

Disa zëra afër zotit Rama thonë se Ron Yeffet është si një tip konsulenti i kryeministrit për çështje private financiare. Por sërish këto mbeten gjithmonë në kontekstin e thënieve të pavërtetuara. Ajo që është e vërtetuar, është fakti se Rama dhe Yeffet janë miq si dhe fakti tjetër se zoti Yeffet ka një background jo shumë të kulluar.

Përveç Edi Ramës, zoti Yeffet është mik edhe i disa udhëheqësve afrikane. Njëri prej tyre është ish presidenti senegalez Macky Sall, i cili u largua nga pushteti vitin e kaluar. Zoti Sally dhe Edi Rama kanë dy të përbashkëta. Përveçse janë të dy miq të Yeffetit, të dy kanë patur fatin të shohin udhëheqësit e opozitës të burgosur vetëm pak kohë përpara zgjedhjeve. Por këto mund të jenë thjesht rastësi.

 900 0 1755520953xroni Senegal 991

Ron Yeffet në Senegal

E megjithatë ashtu si në Shqipëri, edhe në Senegal zoti Yeffet kishte arritur të siguronte një llokmë të madhe nga afërsia e tij me udhëheqësin. Qeveria senegaleze e Sallyt i kishte dhënë biznesmenit izraelit 10 mijë metër tokë shtetërore në bregdetin e Dakarit për të ndërtuar aty një marinë dhe kulla rezidenciale. Por projekti nuk shkoi asnjëherë në fund.

Sepse në Senegal, ndryshe nga Shqipëria, rrotacioni politik nuk është një koncept i huaj. Menjëherë pas ish presidenti Sally u largua nga pushteti, qeveria e re e opozitës e anulloi kontratën me Yeffet dhe e rishtetëzoi tokën me argumentin se marrëveshja ishte aferë e pastër korruptive.

Por ndërsa nga Senegali e ndoqën, zotit Yeffet i qeshi fati në Shqipëri. Dhe Shqipëria ndryshe nga vendet afrikane, për biznesmenët e këtij soji ofron shkallën më të lartë të sigurisë juridike; mungesën e rrotacionit politik./ Kapitali.al