Nga Bujar Leskaj
Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023, i cili kishte mbaruar që në nëntor 2023, nuk mund të shpalleshin përpara qershorit 2024, ishte jo vetëm krejt e pabazuar në argumente profesionale dhe e pakuptimtë, por la një shije të keqe dhe hije të fortë mosbesimi tek qytetarët e thjeshtë, për të mos përmendur ekspertët dhe studjuesit e ekonomisë.
Shumëkush pa me të drejtë hijet e presionit politik të Ramës mbi këtë institucion kyç të politikave ekonomike të vendit. Pagojësia e INSTAT për të dhënë shkaqet e vonesës dëshmoi praninë e presioneve të forta politike dhe porosinë-urdhër që institucioni kishte marrë nga sekti Rama, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetojë, përmes Censit 2023, braktisjen masive të vendit!
Sa më pak shqiptarë INSTAT të llogarisë që kanë ikur jashtë vendit në 10 vitet e fundit (i nxorri 400 mijë, ndërkohë që EUROSTAT në të dhënat e tij flet për mbi 900 mijë!), aq më lehtë ndihet sekti Rama në pushtet. Aq më pak epiteti i boshatisësit të vendit, njëlloj si thika Makbethit, nuk do t’i dalë në gjumë.
Është ky urdhër që e ka detyruar këtë institucion të pavarur kombëtar, të shkelë Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian, i quajtur Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane (https://ec.europa.eu/eurostat/web/quality/european-quality-standards/european-statistics-code-of-practice ). Ky kod flet për parimin themelor të “neutralitetit”, pavarësise në procesin e prodhimit të statistikave evropiane, pa asnjë presion politik apo nga grupe të tjera të interesuara.
I. Shbërja e INSTAT si institucion i besueshëm
Deformimi dhe pagojësia e INSTAT një vit e dy muaj më parë, ishin shenja e parë e humbjes së kredibilitetit dhe e falsifikimit të të dhënave nga ky institucion. Skandali i denoncuar sot nga Prof. Dr. Sali Berisha, i përdorimit të të dhënave të mallrave tranzit që shkojnë nga Porti i Durrësit apo Vlorës për në Kosovë, duke na i shitur si eksporte të Shqipërisë, e dërrmoi plotësisht besueshmërinë e INSTAT.
Statistikat tregtare janë një nga burimet më të rëndësishme të informacionit për ekonominë e një vendi. Ato përcaktojnë shkallën e zhvillimit, bilancin tregtar, strukturën e eksporteve dhe të importeve.
Në Shqipëri, prej vitesh janë ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si INSTAT i raporton të dhënat e tregtisë së jashtme, veçanërisht për mallrat që kalojnë tranzit nëpër territorin shqiptar, me destinacion Kosovën dhe që kapin vlera me qindra milionë euro çdo vit.
Ky manipulim, i njohur tashmë si “inflacion i eksporteve”, ka krijuar një pasqyrë të shtrembëruar të volumit të tregtisë, duke i dhënë publikut dhe institucioneve ndërkombëtare një realitet të rremë të gjoja rritjes së fortë të eksporteve të mallrave nga Shqipëria.
Është tashmë një praktikë abuzive e shëmtuar që mallrat që hyjnë nëpërmjet porteve shqiptare (Durrës, Vlorë, etj.) dhe kalojnë tranzit drejt Kosovës, të regjistrohen si eksporte të Shqipërisë, megjithëse nuk janë prodhuar dhe as nuk i përkasin ekonomisë sonë! Në vend që të evidentohen si “mallra tranzit”, sikurse realisht janë, ato raportohen si “eksporte të Shqipërisë drejt Kosovës”. Ky manipulim rrit artificialisht shifrat e tregtisë sonë të jashtme.
Kjo bën që të dhënat e Kosovës shpesh nuk përputhen me ato të Shqipërisë. Kosova i regjistron këto mallra si “importe nga vendet e origjinës”, për shembull nga Turqia, Kina apo Italia, ndërsa Shqipëria i raporton përmes INSTAT-it si “eksporte shqiptare”!
II. Manipulimi me eksportet, qokë e INSTAT për Ramën
Me këtë manipulim, INSTAT i bën një qokë dhe dhuratë të madhe sektit Rama, i cili dëshpërimisht kërkon të paraqesë një rritje të lartë të eksporteve, qoftë edhe fiktive, për të dhënë imazhin e një ekonomie dinamike.
INSTAT asnjëherë nuk jep shpjegim për dobësinë institucionale të mungesës së kontrollit të kryqëzuar mes shifrave që jepen nga doganat dhe ato të vetë INSTAT-it, pasi kjo i krijon mundësinë këtij të fundit që mallrat tranzit t’i fusë gabimisht në bilancet tregtare të vendit.
Të dhënat nuk verifikohen në mënyrë të pavarur nga një institucion ndërkombëtar apo nga partnerët rajonalë.
Prej këtej vjen dhe shtrembërimi i realitetit ekonomik. Ekonomia e Shqipërisë paraqitet sikur eksporton më shumë se sa realisht prodhon! Dhe bëhemi qesharakë dhe humbasin besueshmëri të të dhënave tona, pasi partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e BE-së i shohin qartë mospërputhjet e dukshme në statistika. Dhe kjo dëmton rëndë reputacionin e Shqipërisë.
Bazuar mbi këto të dhëna të fryra të eksporteve tona, qeveria harton strategji ekonomike jo reale. Shifrat e fryra krijojnë mundësi edhe për evazion dhe kontrabandë, duke i kaluar mallrat tranzit si tregti ligjore vendase.
Në shumë vite tashmë, të dhënat e raportuara nga INSTAT për eksportet drejt Kosovës kanë qenë disa herë më të larta sesa ato që raportojnë autoritetet kosovare për importet nga Shqipëria. Diferenca lidhet kryesisht me mallrat e konsumit dhe produktet industriale, që vijnë nga vende të treta dhe thjesht tranzitojnë nëpër territorin e Shqipërisë, por që për INSTAT regjistrohen si eksporte të Shqipërisë në Kosovë!
III. Jo më shërbëtor symbyllur i Ramës!
Degradimi dhe përçudnimi i një institucioni me vlera kombëtare, si INSTAT, është realisht i dhimbsëm në vitet e fundit. Ky institucion, që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, duhet urgjentisht të kryejë ndryshime metodologjike, duke ndarë qartë mallrat tranzit nga eksportet reale.
Qeveria duhet të realizojë koordinim të detyrueshëm mes doganave të Shqipërisë dhe të Kosovës, për të harmonizuar statistikat. INSTAT duhet të publikoje të dhëna krahasuese me Kosovën, për të shmangur dyshimet dhe për të larguar hijen e rëndë të skandalit të tanishëm.
INSTAT duhet të kërkojë mbikëqyrje ndërkombëtare nga EUROSTAT dhe institucione të tjera që monitorojnë standardet statistikore. Ky institucion duhet të pushojë së qeni “shërbëtor symbyllur” i Ramës!
xxx
Mashtrimi me mallrat tranzit drejt Kosovës është një nga shembujt më të qartë se si statistikat mund të përdoren politikisht, për të krijuar një realitet fiktiv. Ky fenomen dëmton e shkatërron jo vetëm besueshmërinë e INSTAT, por edhe të gjithë imazhin e ekonomisë së Shqipërisë.
Vetëm përmes transparencës, kontrollit të ndërsjellë dhe ndarjes së qartë mes eksporteve reale dhe mallrave tranzit, mund të shmanget ky manipulim që prej vitesh ka deformuar bilancin tregtar të vendit.