Ish-eurodeputetja Doris Pack ka dhënë një intervistë në News24, ku ka ngritur shqetësime të forta për situatën politike, sociale dhe institucionale në Shqipëri, duke u shprehur se vendi po largohet nga rruga drejt Bashkimit Europian.
Pack shprehu shqetësim të thellë për emigracionin masiv, duke theksuar se më shumë se 1.1 milion shqiptarë po largohen nga vendi, ndërsa Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në zonën Shengen.
Duke folur për procesin e integrimit, Pack ishte e prerë:
“Nga mënyra se si punon sot qeveria, Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian. Nuk mjaftojnë fjalët e bukura. Duhet të shohin realitetin dhe ky realitet nuk është pozitiv. Nuk kam shumë shpresë për anëtarësimin në BE në këtë gjendje.”
Ajo shtoi se, megjithëse nuk është më pjesë e Parlamentit Europian, vijon të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe u shpreh se do të ishte e lumtur të shihte vendin pjesë të BE-së, por vetëm pasi të ndodhin ndryshime reale dhe të thella demokratike.
Doris Pack: Ka shumë politikanë sot që punojnë për policinë, politikën, janë të lidhur me kriminelë, ndërkohë që politikanët duhet të punojnë për qytetarët.
Kaq shumë njerëz largohen nga vendi. 1 mln e 100 mijë persona vijojnë të largohen. Shqiptarët janë azilkërkuesit nr 1 në zonën Shenghen dhe është një vend që ka kaq shumë burime e mundësi. Më shumë se 35 për qind e popullatës po largohet dhe për këtë më vjen shumë keq.
Po shkatërrohen institucione demokratike. Shumë njerëz nuk janë zgjedhur në mënyrë korrekte më 11 maj. Njerëzit ndihen pa mbështetje.