Ndërtuesi i pallateve Juljan Morina është vendosur në qendër të vëmendjes pas publikimit të një shkrimi investigues, i cili nxirrte në dritë të shkuarën e tij kriminale dhe lidhjet e forta me personazhet politike.
Gazetari Almer Toska thotë se është kërcënuar drejtpërdrejt nga biznesmeni me anë të mesazheve në rrjetet sociale, vetëm sepse ai publikoi një shkrim.
Në shkrimin e tij, Toska foli për të shkuarën e Juljan Morinës si trafikant femrash dhe droge, madje edhe për lidhjet që gëzon ai me personazhe të rëndësishme politike, prej të cilëve herë pas here fiton leje ndërtimi.
Menjëherë biznesmeni i ka dërguar disa mesazhe shantazhuese ku i shkruan: “Motrën do te q* o kur*a Rroskovecit.”
Sipas gazetarit, “ky veprim tregon qartë se Morina nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime.”
Në deklaratë, Lul Morina përshkruhet si shembull i ndërthurjes së krimit të organizuar me politikën dhe ekonominë në Shqipëri, duke kaluar nga aktivitetet kriminale në vitet ’90 në përfitime të mëdha në sektorin e ndërtimit përmes lidhjeve politike dhe blerjes së votave.
Gazetari kërkon që autoritetet, përfshirë policinë, prokurorinë dhe SPAK-un të ndërhynë menjëherë, përpara se këto kërcënime të bëhen realitet.
“Ky është momenti kur Policia, Prokuroria dhe SPAK duhet të tregojnë se a janë në shërbim të qytetarëve apo në shërbim të trafikantëve të lidhur me pushtetin. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë vendi ku trafikantët bëhen ndërtues, ku blerësit e votave bëhen partnerë të qeverisë, dhe ku kërcënuesit trajtohen si të paprekshëm. Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën,” shkruan gazetari.
Ky është një nga dhjetëra rastet kur gazetarët bien pre e kërcënimeve për shkak të punës së tyre, prandaj institucionet duhet të marrin masa që këto raste të kenë ndëshkimin e parashikuar nga ligji.