Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hapur një tender me vlerë rreth 3 milionë euro për sigurimin fizik të ambienteve të saj në Tiranë, duke rritur masat e sigurisë së institucionit vetëm pak ditë pas lajmeve për zhdukjen e ish-nëndrejtorit Daniel Shima.
Sipas dokumentacionit, kontrata që do të lidhë Mirlinda Karçanaj parashikon angazhimin e rojeve private në 16 vendroje për një periudhë 2-vjeçare. Përllogaritjet tregojnë se kostoja për çdo vendroje arrin mesatarisht 17.8 milionë lekë në 24 muaj, ndërsa paga mujore e një roje shkon në rreth 741 mijë lekë.
AKSHI është kritikuar prej kohësh për shpenzimet e mëdha dhe tenderët e dyshimtë, ku kompani të caktuara kanë përfituar në mënyrë preferenciale. Ky tender i fundit, i konsideruar i lartë vetëm për shërbime sigurie, shihet si vazhdim i të njëjtës praktikë.
Vendimi vjen në një moment kur institucioni është në qendër të vëmendjes për zhdukjen misterioze të Shimas, i cili rezultoi i pakontaktueshëm për rreth 10 orë.
Ai u gjet, por deklaroi se ishte larguar me dëshirë, por mediat ngritën dyshime mbi arsyet e vërteta, përfshirë lëvizjet e tij në Shijak dhe Borsh, apo mesazhin se “po e arrestonin”.