Nga Gazment BARDHI
Këqyrja e pamjeve filmike të qendrave të votimit në qarkun Fier vazhdon të konfirmojë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve për përfaqësuesit e tyre parlamentare, por një operacion kriminal i bandës elektorale të Belinda Ballukut.
Pamjet më poshtë i përkasin qendrës së votimit 2826, njësia administrative Golem, bashkia Lushnjë, në të cilat shfaqen 73 raste ku komisionerë, vëzhgues apo patronazhistë të Partisë Socialiste votojnë në vend të qytetarëve apo kontrollojnë mënyrën se si votojnë qytetarët.
Kontrolli i plotë dhe total i vullnetit të qytetarëve nuk mund të prodhonte tjetër rezultat, përveçse grabitjen padrejtësisht të mandatit përfaqësues të qytetarëve nga zyrtarë të korruptuar dhe të lidhur me eksponentë të krimit të organizuar.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fijet që lidhin pazgjidhshmërisht Belinda Ballukun dhe terroristët e saj elektoralë në qarkun e Fierit. Fije, të cilat janë kthyer në rrjeta ku kanë ngecur prokurorët e posaçëm që nuk arrijnë akoma të shohin krimet elektorale, të ekzekutuara në dritë të diellit.