Nga Atird HOXHA
Dje, në edicionin qendror të lajmeve, Top Channel, si lajm të parë, riprodhoi një shkrim të një portali lokal, i cili prej kohësh hiqet si kritik i qeverisë, por në fakt i shërben në mënyrën më perfekte interesave të klaneve brenda saj.
Ky “lajm” i sajuar, që gjeti hapësirë në ekranin kryesor, u shfaq si një “tronditje” me largime masive nga Partia Demokratike e Vlorës. Në të vërtetë, nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar propagandistik, i shpërndarë me kujdes nga struktura të lidhura ngushtë me pushtetin, për ta risjellë përsëri si lajm aktual.
Le të jemi të qartë: Rama dhe njerëzit e tij, që kanë gënjyer e vazhdojnë të gënjejnë qytetarët, nuk kanë 24.134 vende pune për të punësuar të gjithë ata që votojnë Partinë Demokratike në Qarkun e Vlorës, e aq më pak 529.354 vende pune për të punësuar të gjithë ata që votojnë Partinë Demokratike në nivel kombëtar, për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër, Shqipërinë pa opozitë.
Sa për “ikjet e bujshme”, lista që shitet si “rrjedhja e madhe” nga PD nuk është gjë tjetër veçse një farsë mediatike. Në të përfshihen:
Dy kushërinj të një ministri aktual të Ramës,
Familjarë të ish-kryebashkiakut Dritan Leli,
Kushërinj dhe miq të kryebashkiakut aktual Ermal Dredha,
si dhe persona që prej vitesh janë pjesë e administratës, disa prej tyre mbi 15 vite, duke ndërtuar karrierën e tyre aty.
Për “blerjet” me parametra zero nuk ka nevojë për shumë sqarime .
Pra, të gjithë ata që sot shiten si “demokratë të larguar” janë në fakt të integruar e të lidhur ngushtë me pushtetin e Rilindjes. Ky është mashtrimi i radhës, një lojë e vjetër, e destinuar të dështojë.
Vlorën, opozitën dhe Partinë Demokratike nuk i trembin as portale të kapura, as televizione të vëna në rresht. Qytetarët e dinë të vërtetën dhe nuk mashtrohen më nga propaganda e Ramës.