Viza amerikane e Ministrit brazilian të Drejtësisë, Ricardo Lewandowski është revokuar, tha sot Presidenti brazilian Lula, duke dënuar Uashingtonin për një “veprim të papërgjegjshëm”.
Gjatë një takimi ministror, Luiz Inacio Lula da Silva shprehu “solidaritetin” e tij me ministrin e tij kundër “veprimit të papërgjegjshëm për të revokuar” vizën e tij.
Kjo është një masë tjetër që Uashingtoni po ndërmerr kundër Brazilit në shenjë hakmarrjeje për gjyqin e vazhdueshëm të ish-presidentit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro (2019-2022), i cili është në gjyq për tentativë grushti shteti.
Këto masa “janë të papranueshme, jo vetëm kundër ministrit por edhe kundër gjyqtarëve të Gjykatës Supreme apo ndonjë figure tjetër braziliane”, shtoi Lula. Revokimi i vizës së ministrit brazilian nuk është konfirmuar ende nga Ministria e Drejtësisë, as nga autoritetet amerikane të kontaktuara nga Agence France-Presse.
Megjithatë, javën e kaluar, Paulo Figueiredo, një influencues brazilian që jeton në SHBA, e përmendi këtë veprim në X.
Dyshja Paulo Figueiredo dhe Eduardo Bolsonaro, djali i ish-presidentit i cili gjithashtu jeton në SHBA, po lobojnë qeverinë amerikane kundër autoriteteve aktuale braziliane.
Në këtë kontekst, Trump ka vendosur një tarifë prej 50% për një pjesë të eksporteve braziliane në SHBA. Një vendim që presidenti amerikan e justifikoi në bazë të një “gjuetie shtrigash” të supozuar, viktimë e së cilës është ish-presidenti i ekstremit të djathtë i vendit të Amerikës Latine.
Administrata Trump ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj gjyqtarit Alexandre de Moraes, i cili po kryeson gjyqin e Bolsonaros me akuzat për tentativë grushti shteti, duke i revokuar vizën.
Masa të ngjashme janë vendosur ndaj disa anëtarëve të tjerë të Gjykatës Supreme, sipas qeverisë braziliane.