Ky falimentim mban një emër: Edi Rama!

Nga Alba KEPI

Shifrat e publikuara nga Banka Qendrore e Austrisë janë shuplaka më e fortë ndaj çdo fjalimi të Kryeministrit Rama për “Shqipërinë që po rilind” e për “vendin që s’ka më arsye të ikë”. 33% e shqiptarëve thonë se brenda 10 viteve do të emigrojnë, ndërsa 10% planifikojnë të largohen brenda një viti.

Shqipëria është kampione e rajonit për dëshirën për ikje. Ky është dështimi më i madh i çdo qeverie: kur populli nuk e sheh më të ardhmen aty ku ka lindur.

Një në tre shqiptarë do të ikë brenda 10 viteve, ndërsa një në dhjetë brenda vitit.

Emigracioni është vota e fshehtë e shqiptarëve. Është vota që nuk blihet me thasë mielli, nuk shantazhohet me vende pune, nuk manipulohet me patronazhistë. Është verdikti më i pastër që ky sistem ka dështuar. Kur qytetari zgjedh të braktisë atdheun, ai shpall falimentimin e pushtetit. Dhe ky falimentim mban një emër: Edi Rama.

Shqipëria sot është një teatër absurd: pushteti feston, populli ikën; kryeministri bën piktura e fjalime, kombi shkon drejt shuarjes; propaganda flet për “suksese historike”, ndërsa të rinjtë votojnë me pasaportë drejt aeroportit. Ky është realiteti i hidhur: një vend që vdes ngadalë, ndërsa pushteti qesh.

Në histori, liderët maten jo me fjalimet që mbajnë, por me popullin që lënë pas. Edi Rama do të mbahet mend si kryeministri i eksodit të dytë shqiptar, njeriu që e ktheu Shqipërinë në tokën e boshatisur ku vetëm pushteti rron e populli ikën.

Një shtet i dobët, por një shtet i dobësuar me qëllim.

Një sistem ku pushteti personal forcohet duke gërryer themelet e institucioneve, duke zhdukur opozitën, duke kapur mediat dhe duke shuar çdo formë kontrolli demokratik. Ky është mekanizmi që prodhon ikje: kur nuk ke më kujt t’i kërkosh drejtësi, kur nuk ka barazi në garë, kur shteti është i huaj dhe qytetari ndihet jetim.

Kjo është Shqipëria e sotme: një vend i braktisur nga rinia, një vend ku familjet ëndërrojnë vizën, jo të ardhmen, një vend që rrezikon të mbetet i zbrazët. Dhe përgjegjësia nuk është e popullit që ikën, por e pushtetit që e ka shtyrë popullin të mos e durojë më.

About Redaksia

Check Also

Sekti antivax i gjakut “të pastër” dhe manipulimi me vdekjen

Nga Erion DASHO Pandemia nuk prodhoi vetëm vdekje, probleme shëndetësore, sociale, ekonomike, etj. Prodhoi edhe …