Anëtarët e Senatit Meksikan u përfshinë në një përleshje të mërkurën mbi thirrjet e supozuara nga opozita e krahut të djathtë për ndërhyrje ushtarake amerikane kundër karteleve të drogës. Në përleshje u përfshinë presidenti i Senatit, Gerardo Fernández Noronha dhe senatori i krahut të djathtë Alejandro “Alito” Moreno.
Incidenti pasoi ditë të tëra shkëmbimesh verbale midis dy palëve, të nxitura nga akuzat e Uashingtonit kundër presidentit Venezuelian, Nicolas Maduro, të cilin administrata Trump e quan “kreu” i një karteli të trafikimit të drogës.
Moreno jo vetëm që e mbështet këtë akuzë, por ai gjithashtu ka paraqitur një ankesë në zyrën e prokurorit të përgjithshëm meksikan kundër Maduros për lidhje me kartelet meksikane dhe i ka lidhur aktivitetet e tij të supozuara të paligjshme me zyrtarë nga partia në pushtet MORENA, Lëvizja Kombëtare e Rilindjes, një e majtë nacionaliste. Noronha i ka mohuar akuzat.
Ndërsa seanca po mbaronte dje, Moreno doli në skenë dhe iu afrua me zemërim Noronhas kur ky i fundit i kujtoi se nuk i kishte dhënë fjalën. Ai i kapi dorën, presidenti kërkoi që të mos e prekte, pastaj senatori e shtyu vazhdimisht dhe e goditi në qafë, përpara se të hidhte në dysheme një fotograf që u përpoq t’i ndante.
Debati ishte ndezur tashmë kur shumica, e cila është afër qeverisë, akuzoi partitë konservatore PRI dhe PAN se kishin bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake amerikane në vend, diçka që të dyja partitë e mohojnë.
Disa javë më parë, media raportoi se Donald Trump kishte urdhëruar ushtrinë amerikane të ndërmerrte veprime kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine, disa prej të cilave u shtuan në shkurt në listën e zezë të Uashingtonit të organizatave të huaja “terroriste”.
Duke folur për shtypin pas incidentit, të dy burrat shkëmbyen akuza: “Ai filloi të më tërhiqte, të më shtynte, të më godiste dhe të thoshte ‘Do të të bëj copë-copë, do të të vras’”, tha presidenti e Senatit Fernández Noronha. Senatori Moreno kundërshtoi duke thënë se ishte presidenti i organit që sulmoi i pari.
Fernandez Noronha tha se do të thërriste një takim të jashtëzakonshëm paraprak nesër dhe do të propozonte që Moreno dhe tre anëtarë të tjerë, të cilët i përkasin PRI-së, të përjashtoheshin nga organi.