Zjarret vijojnë të djegin pyjet, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për shuarjen e tyre. Zjarri në pyllin e Pishë-Poros vijon të jetë aktiv prej disa ditësh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke krijuar pamje dramatike në terren. Situata vijon të përkeqësohet.
Flakët po djegin sipërfaqe me pisha, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zonën dhe ka filluar të përhapet drejt qytetit të Vlorës.
Po ashtu flakët e zjarrit kanë përpirë një sipërfaqe pyjore në bashkinë Devoll. Situatë dramatike edhe në parkun natyror Gërmenj të Korçës.
Zjarri që nisi mesditën e djeshme në sipërfaqen pyjore mbi fshatin Miras në Devoll vijon të jetë aktiv. Sipas përgjegjësit të menaxhimit të pyjeve, situata mbetet serioze.
Ndërkohë banorët e zonës po i vijnë në ndihmë zjarrfikësve deri sa Rama të krijojë flotën e avionëve zjarrfikës, premtuar sot gjatë ceremonisë së dekorimit të punonjësve të emergjencave civile.