Ardit ZENELI
Vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin Amerikan të Shtetit vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të fundit, është më shumë se një akt formal.
Qëllimi i thirrje së Dumanit në DASh dhe jo në Departamentin e Drejtësisë, tregon shumë!
Përtej konsideratës së ulët profesionale për kreun e SPAK, e cila sipas meje tregon qartë preferencën politike të tij, nga njëra anë duke goditur liderat e opozitës dhe nga ana tjetër duke ledhatuar kryeministrin Rama, vizita e sotme e Dumanit në DASH është një mesazh i qartë diplomatik: aleati ynë strategjik zgjedh të komunikojë drejtpërdrejt me drejtësinë, jo me politikën.
Në kushte normale, pas një fitoreje të katërt të njëpasnjëshme, do të ishte kryeministri apo ministri i jashtëm që do të pritej në Washington. Por kjo nuk ndodhi. Dhe fakti që opozita nuk i njeh zgjedhjet vetëm e thellon dilemen: sa legjitimitet ka vërtet kjo qeveri?
Për qytetarin e zakonshëm, ky zhvillim lexohet në dy mënyra.
Nga njëra anë, është sinjal shprese: më në fund drejtësia po mbështetet nga jashtë dhe mund të bëhet një kundërpeshë reale ndaj pushtetit të korruptuar.
Nga ana tjetër, është shenjë alarmi: nëse qeveria izolohet diplomatikisht, pasojat bien mbi ekonominë dhe integrimin europian, pra mbi ne të gjithë.
Mesazhi i Washingtonit është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë nuk do të matet më me numrin e mandateve, por me forcën e institucioneve të saj të drejtësisë.
Pyetja është nëse politika jonë e kupton këtë.
Gazeta RD