Kreu i PD, Sali Berisha tha në një konferencë me gazetarët se, vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore të procesit zgjedhor është detyrimi më absolut i Partisë Demokratike. Ai tha se, opozita do ta zhvillojë betejën në të gjitha frontet, pavarësisht pengesave.
“Isa, nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ndodhet në kontroll të plotë të Ramaduros.
Por kjo nuk do thotë që ne të mos ndjekim procedurën.
Nga qindra vendime dhe ne do e japim shifrën, 99.9 përqind të tyre, që nga 20 marsi gjer sot, janë dhënë kundër opozitës dhe pro narkopartisë së shtetit.
Ne nuk kemi iluzione, por ne, thashë, betejën do e bëjmë në të gjitha frontet.
Natyrisht e them këtu, dokumentimi, vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore të procesit zgjedhor, i të gjitha mekanizmave të shndërrimit të tij në një farsë, është detyrimi më absolut i PD-së para demokratëve shqiptarëve, para zgjedhësve shqiptarë.
E kundërta do të ishte një bashkëpunim në krim monstruoz elektoral, do të ishte një akt i pafalshëm që do bënte këtë forcë politike bashkëfajtore në farsën elektorale të vendit”, tha Berisha.