Agjencia e lajmeve The Guardian shkruan se mediat ruse raportojnë se një takim i afërt mes presidentit në detyrë të Amerikës Donald Trump dhe kreut të shtetit rus Vladimit Putin është i mundshëm të zhvillohet shumë shpejt.
“Nuk kam asnjë dyshim se nëse presidentët e konsiderojnë të nevojshme, takimi i tyre mund të organizohet shumë shpejt. Ashtu siç u organizua shpejt takimi në Alaska,” tha Peskov për median ruse Argumenty i Fakty, duke iu referuar samitit Trump-Putin të muajit të kaluar.
Peskov gjithashtu tha se kontaktet e punës midis dy vendeve po zhvillohen vazhdimisht.
Lidhur me çështjen e Ukrainës, Presidenti rus Vladimir Putin dukej i palëkundur nga propozimet, duke thënë në një forum ekonomik në Vladivostok se çdo trupë perëndimore në Ukrainë do të konsiderohej “objekt legjitim për shkatërrim.” “Nëse disa trupa shfaqen atje, veçanërisht tani gjatë luftimeve, ne nisemi nga premisa se ata do të jenë objekt legjitim,” tha Putin.
Moska prej kohësh ka refuzuar çdo sugjerim për trupa të huaj në Ukrainë, duke theksuar se kjo do të ishte e papranueshme dhe do të përbënte një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare. Putin argumentoi më tej se “nëse arrihen vendime që çojnë në paqe, në paqe afatgjatë, atëherë unë thjesht nuk shoh asnjë kuptim të pranisë së tyre në territorin e Ukrainës.” Ai theksoi se Rusia do të “përmbahet” plotësisht ndaj çdo marrëveshjeje që arrihet.
Presidenti rus gjithashtu përsëriti ofertën e tij – që tashmë është refuzuar – për të organizuar bisedimet e ardhshme të paqes në Moskë, duke pretenduar se ai “patjetër do të sigurojë kushte dhe siguri.” Putin gjithashtu dukej se refuzonte sugjerimin për të mbajtur takimin në një vend tjetër. “Por nëse na thonë: ‘duam të takohemi me ju, por ju duhet të shkoni diku tjetër për këtë takim’, më duket se këto janë kërkesa të tepruara ndaj nesh”, tha ai.