Nga Rezenbrik Serjani
Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, PD Vlorë
Ajo që po ndodh aktualisht në qytetin e Vlorës dhe më gjerë në Shqipëri nuk është një aksion për lirimin e hapësirave publike, siç mundohet ta paraqesë qeveria. Në thelb, ky është një veprim goditës dhe persekutues nga ana e “KryeZaptuesit” Edi Rama dhe sektit të tij politik, një veprim që godet drejtpërdrejt qytetarët, bizneset dhe çdo formë të ndërmarrjes së lirë në këtë vend.
Deklaratat publike të Kryeministrit ndaj Vlorës dhe vlonjatëve, të cilët i etiketon në mënyrë të përgjithësuar si zaptues të hapësirave publike, nuk janë thjesht ofendime, janë shenja të një psikopatie politike të një njeriu që ka humbur çdo kontakt me realitetin social dhe njerëzor të vendit që udhëheq.
Në këto ndërhyrje të dhunshme të shtetit, po shkatërrohen investime shumëvjeçare, biznese familjare, dhe pasuri të krijuara me mund e sakrificë për dekada me radhë. Shkatërrimi i tyre, i shoqëruar me propagandë dhe publikime cinike në rrjetet sociale nga vetë Kryeministri, nuk është zbatim i ligjit, por një formë e pastër e represionit shtetëror dhe përçmimit ndaj pasurisë dhe dinjitetit të qytetarit shqiptar.
Edi Rama nuk po lufton informalitetin, as nuk po rivendos rendin urban, por po zbaton një strategji të qëllimshme shpopullimi dhe shkatërrimi të trashëgimisë ekonomike dhe njerëzore të këtij vendi. Kjo nuk është hera e parë, është vazhdimësi e një politike që, prej ditës së parë të qeverisjes së tij, është karakterizuar nga përbuzja ndaj qytetarëve, largimi masiv i popullsisë, dhe centralizimi i pushtetit dhe pasurisë në duart e pak njerëzve.
Aktet e prishjeve me regji shtetërore, të shoqëruara me efekt propagandistik, janë më shumë “pamje lufte” sesa të një shteti ligjor. Janë aksione që demonstrojnë forcë brutale, jo autoritet moral apo ligjor. Ato kryhen pa transparencë, pa kritere të qarta, pa rregullore të miratuara, dhe shpesh në kundërshtim me vetë ligjet që shteti pretendon se po zbaton.
Ky nuk është një aksion urbanistik, është një fushatë përndjekjeje, që në thelb ka urrejtjen e Kryeministrit ndaj vetë vendit të tij dhe qytetarëve të tij. Urrejtje që shfaqet çdo ditë me përbuzje publike, me buzëqeshje tallëse ndaj fatkeqësive të njerëzve, dhe me një ftohtësi që nuk ka asgjë të përbashkët me përgjegjësinë e një drejtuesi.
Ajo që po ndodh sot është më shumë se një padrejtësi, është një kërcënim real ndaj vetë ekzistencës së shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Sepse kur shteti kthehet në përndjekës të qytetarit dhe jo garantues i të drejtave të tij, atëherë nuk kemi më demokraci, por sundim arbitrar dhe kapje të shtetit.