Drejtuesi politik i PD për qarkun e Shkodrë, deputeti Luçiano Boçi ka reaguar për masakrën e Shkodrës me 2 viktima dhe 2 të plagosur, që ndodhi mëngjesin e së hënës, në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor.
Boçi shkruan se, Shkodra nuk është Palermo, por sipas tij, kjo është qeverisja e Ramës që e ka futur qytetarin në kurthin e jetës me pasiguri dhe frikë.
“Shkodranët duan përgjigje! Shkodranët duan veprime konkrete! Mjaft me fjalët, mjaft me justifikimet, mjaft me “shpjegimet”!
Shkodra ka nevojë për jetë e paqe, jo për më shumë krim dhe terror të organizuar nga paaftësia e policisë e drejtësisë dhe të mbështetur dhe të frymëzuar nga vetë përfaqësues të qeverisë me koordinatorë specialë të emëruar nga Rama.
“Sot duhet të ishte një ditë feste për Shkodrën e fëmijët e saj! Por dita e shkollës u shndërrua në një ditë terrori si shumë të tjera përgjatë këtyre viteve këtu në Shkodër.
E në vend të luleve nxënësit morën nga shteti i Ramës dhuratë krisma armësh, kufoma të vrarësh e terror, në zemër të qytetit, pa kursyer askënd.
Megjithatë Shkodra nuk është kjo!
Kjo është vetëm fatkeqësia e një Shkodre që rënkon nga një shtet që nuk ekziston”, shkruan Boçi.