Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar tha se, Rama i çoi Tiranës korbën e korrupsionit, e cila duhej dënuar me burgim të përjetshëm për atë që bëri gjatë pandemisë.
Berisha akuzoi qeverinë për manipulime dhe abuzime gjatë pandemisë, ku vetëm nga fondet e Covid-it janë zhdukur 500 milionë euro dhe janë fshehur 22 mijë viktima, ndërkohë që Veliajt i besohet përsëri drejtimi i Tiranës.
“Një personazh, që nuk po ia them emrin, para 40 vitesh, u thoshte të tjerëve që unë dhe Enveri këtë nuk e dimë.
Edhe ky i thoshte deleve që ndodh kjo e kjo, shprehte dhembshuri për Erion Veliajn.
Njëherë në radhë të parë duhet ta përgëzoj degën e Tiranës dhe Belind Këlliçin që për 46 javë nuk iu ndanë atij hajduti, ndër më të poshtrit që ka Shqipëria dhe që e ka emrin Erion Veliaj.
Kurse, asnjë diskutim që Rama atë nuk e donte kurrë dhe të gjitha ato që i bëhen atij në burg, dhe që janë çnjerëzore, ua them unë këtu, ne jemi parti e të drejtave të njeriut, se thonë po e mbron, unë nuk e mbroj fare, unë mbroj atë që besoj dhe unë besoj tek të drejtat e njeriut. Pra, të gjithë ato dhunime dhe poshtërime që i bëhen, i bëhen nga Edi Rama dhe Ulsi Manja, sepse donte ky faqezi donte të zgjidhej edhe njëherë dhe e përdorte Altin Troplinin si karrem. Nuk bëhen kurrë ndaj të burgosurit ato.
Pra, ju e patë teatrin që bëhej aty, se jo fëmija, jo ky, jo ai.
Dhe ky që i kishte bërë të gjitha vetë. Me urdhër.
Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit.
I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj Covid-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm.
Janë 22 mijë vdekje që ajo i fshihte.
Plus gjërat e tjera. Janë 500 milionë euro, të avulluara, të dhëna për Covid-in.
Dhe ky e çon atë për qytetarët e Tiranës sikur ta ketë Tiranën kopshtin e PS”, tha Berisha.
