Rama shkarkon Veliajn, cakton kandidaten për Tiranën

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, bëri me dije se do të nisin procedurat për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Në vend të tij, kryeministri njoftoi se Ogerta Manastirliu do të kandidojë për pozicionin e kryebashkiakes.

Rama tha se, nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. “E falënderoj për përkushtimin, por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë”, tha Rama.

Shkarkimi i Veliajt vjen pas përfundimit të hetimeve paraprake nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila dje ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të kryebashkiakut, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, 7 biznesmenëve dhe 8 personave të tjerë, si dhe 12 kompanive dhe OJF-ve. Gjyqtare e seancës paraprake është caktuar Etleva Deda.

Veliaj akuzohet për 13 vepra penale, ndërsa bashkëshortja e tij për 12 vepra penale. Mes të pandehurve të tjerë janë edhe ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, dhe biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Mirton Lika.

Hetimet e SPAK-ut kanë dokumentuar një sërë veprash penale, duke përfshirë korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe favorizimin e biznesmenëve në tendera dhe leje ndërtimi të dhëna nga Bashkia e Tiranës.

Aktualisht, Veliaj ndodhet në paraburgim në burgun e Durrësit. Ai u arrestua më 10 shkurt me urdhër të SPAK, dhe masa e “arrestit me burg” është lënë në fuqi nga të tre shkallët e gjyqësorit.

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …