Ka ndërruar jetë në spital Charles James Kirk, ku edhe pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, sërish nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagës së marrë.
Charles James Kirk, i njohur si Charlie, 31 vjeç, aktivist politik i djathtë amerikan dhe mik i Donald Trump, u qëllua nga një snajper në qafë gjatë një eventi publik në Utah Valley University.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë me dije vetë Trump përmes një postimi në Truth Social, ku shkroi: “Charlie Kirk, i madh dhe i jashtëzakonshëm, nuk jeton më. Askush nuk e kuptoi dhe nuk kishte zemrën e rinisë amerikane më mirë se ai. Charlie u desh dhe u admirua nga të gjithë, veçanërisht nga unë, dhe tani nuk është më mes nesh. Unë dhe Melania shprehim ngushëllimet tona për bashkëshorten e tij Erika dhe familjen. Charlie, të duam!”,
Aktivisti u qëllua me një plumb të vetëm, ndërsa një i dyshuar është arrestuar. Në vendngjarje ndodhet dhe FBI-ja, teksa ngjarja ndodhi rreth orës 12:25 me orën lokale.
Në një fjalim të mbajtur në Zyrën Ovale, Donald Trump fajësoi “të majtën radikale” për të shtënat që lanë të vdekur aktivistin, Charlie Kirk dhe premtoi një goditje të menjëhershme.
“Për vite me radhë, ata të së majtës radikale i kanë krahasuar amerikanët e mrekullueshëm si Charlie me nazistët dhe vrasësit dhe kriminelët më të këqij masivë në botë. Ky lloj retorike është drejtpërdrejt përgjegjës për terrorizmin që po shohim në vendin tonë sot dhe duhet të ndalet menjëherë”, tha Trump, shkruan TheGuardian.
“Administrata ime do të gjejë secilin prej atyre që kontribuan në këtë mizori dhe në dhunën tjetër politike, duke përfshirë organizatat që e financojnë dhe e mbështesin atë, si dhe ata që ndjekin gjyqtarët tanë, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe të gjithë të tjerët që sjellin rend në vendin tonë.”
Kujtojmë se Charlie Kirk u qëllua gjatë një debati publik që kishte organizuar në kampusin e Universitetit në Utah.