Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi sot para nisjes së seancës plenare se Parlamenti aktual është i “paligjshëm” dhe i kontrolluar nga “kartelet e drogës, krimi dhe korrupsioni”. Berisha tha se veprimet e PD-së janë tërësisht legjitime dhe përfaqësojnë “betejën për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë”.
I pyetur për mungesën e komisionit hetimor për çështjen McGonigal, Berisha u shpreh se Rama do të bëjë gjithçka për të fshehur krimet e tij, por opozita do të vijojë betejën për zbardhjen e së vërtetës.
Lideri demokrat, Sali Berisha tha se fitorja arrihet vetëm përmes përpjekjes dhe jo tërheqjes, duke nënvizuar se bojkoti është një nga opsionet në tavolinë, por jo domosdoshmërisht zgjedhja përfundimtare.
I pyetur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, Berisha nuk dha një përgjigje të prerë për pjesëmarrjen ose bojkotin, por u shpreh kritik ndaj asaj që e cilësoi si “shashka mediatike” për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e mëdha të qeverisjes.
Sa i përket votimit për kryetarin e ri të Kuvendit, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se opozita nuk do të marrë pjesë dhe e cilësoi kandidatin e shumicës si “bandit me post kryetari”.
PRONONCIMI I PLOTË
Ky parlament është jolegjitim, ky është parlamenti i karteleve të drogës, ky është parlamenti i miliarda eurove të vjedhura të shqiptarëve, ky është parlamenti i dhunimit të fjalës së lirë, të farsës elektorale.
Pra në këtë kontekst hap më legjitim se kjo që bën sot PD nuk ka, por ne e kemi betejë.
Ne zotohemi të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha forcat tona gjer në realizimin e tij.
Pyetje: Kryeministri Rama nuk ju ka dhënë komisionin për McGonigalin, kur kishte 73 mandate, pse mendoni që tani që ka 83 mandate do t’ua japë këto komisione?
Berisha: Unë jam i bindur që Edi Rama do të bëjë gjithçka për të fshehur krimet e tij, por detyrimi ynë dhe vendosmëria jonë është absolute. Ne do bëjmë gjithçka për të nxjerrë në dritën e diellit, krimet e shëmtuara të tij.
Pyetje: Mendoni se duke bërë të njëjtat forma mund të ndryshoni rezultatin?
Berisha: Mendoj se fitorja vjen vetëm me betejë, vetëm me luftë, vetëm me përpjekje dhe jo me tërheqje.
Pyetje: Z.Berisha, mendoni se duhet ta kishit nisur me protestë ditën e parë të parlamentit?
Berisha: Tani se si mund ta kishim në shumë forma, por ju garantoj se kjo është prova e ekzistencës së opozitës dhe ekzistencës së demokracisë në Shqipëri.
Shikoni, nuk është një çështje këtu se, opozita është në këtë apo atë situatë, demokracia shqiptare është në agoni, shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafias.
Këtu çdo qytetar shqiptar që do të jetojë me ndershmëri dhe dinjitet është në një diktaturë autoritare.
Pyetje: Duke thënë se ju thoni se nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën, a do hyni në garën e bashkisë së Tiranës?
Berisha: Tani të gjitha vendimet do të bëhen të ditura, por e kam thënë dhe e them se, me Edi Ramën zgjedhje nuk ka kurrë të lira…
Pyetje: Edhe mund t’i bojkotoni zgjedhjet e Tiranës?
Berisha: Ka dy taktika, edhe ajo është një taktikë por nuk mund të them asgjë se cili do jetë qëndrimi.
Zgjedhjet mund t’i bojkotojmë, mund t’i bojkotonim zgjedhjet e përgjithshme, nuk kishim asnjë kusht, por në përpjekjen e betejës bojkoti, është edhe ajo një armë, është një formë, por ndofta forma më e lehtë.
Pyetje: Mund të shkoni me një kandidat jopolitik nëse vendosni të merrni pjesë?
Berisha: Shikoni çfarë ndodh. Edi Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në parlamentin e karteleve të drogës, në parlamentin e krimit dhe korrupsionit, nxorri përsëri nga qelia Erion Veliajn dhe do të tërheqë mediat me problemin e bashkisë së Tiranës dhe Veliajt dhe përmallimin e madh të Ogertës.
A e patë ju, se si u shkri në dënesë Ogerta, kur mori vesh lajmin se do të kandidohet. Mos u udhëhiqni nga gjëra të tilla se janë krejtësisht, janë shashka mediatike.
Janë shashka për mediat dhe opozitën, ndaj ne do të mbajmë drejtimin tonë kryesor, betejën për rikthimin e votës së lirë, fjalës së lirë të shqiptarëve.
Pyetje: Z.Berisha, a do të votoni sot për kryetarin e ri të Kuvendit?
Berisha: Absolutisht, jo. Të votosh Niko Peleshin aty, është dhjetë herë më mirë se të votosh Kapuranin, apo bandën e tij në Korçë. Kategorikisht, jo.
Më mirë të vinte ai se, ai të paktën është i sinqertë, jeton si bandit.
Kurse ky, është bandit me post kryetar parlamenti. Në asnjë mënyrë!