Gallata/ Ambasadori i BE ankohet se s’ka ujë, Komisionerja e BE: Rama po bën punë të shkëlqyer

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian tha dy jave më parë se Shqipëria mund të bëhet anëtare e unionit në vitin 2029, nëse Kryeministri Edi Rama vazhdon “punën e shkëlqyer”, ndërkohe ambasadori i BE në Tiranë deklaron se nuk ka ujë në rezidencën e tij dy javë pas kësaj deklarate.

Rezidenca e ambasadorit të Bashkimit Europian dhe ambasadave të shteteve të Spanjës, Austrisë, Greqisë, Suedisë, Rusisë, Japonisë, Katarit dhe disa të tjera furnizohen nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e Bashkisë së Tiranës vetëm 1 orë e 30 minuta në ditë.

Prej disa muajsh, ambasadorët dhe familjet e tyre po vuajnë si asnjëherë tjetër më parë mungesën ekstreme të ujit në rezidencat e tyre.

Në disa prej tyre ndodh që uji shkon vetëm një herë në 2 ditë apo një herë në 3 ditë.

UKT deklaron se këtyre vilave u takon vetëm 1 metër kub ujë në ditë, një sasi kjo tejet minimale dhe e pamundur për të përballuar jetesën në një vilë.

Edhe pse ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve deklaron se nuk u takon më shumë se 1 metër kub ujë në ditë, as kjo sasi nuk furnizohet.

Kompleksi i vilave ku janë vendosur këto seli diplomatike përbëhet nga 155 të tilla, ndërkohë që sasia e ujit që furnizohet është vetëm 110 metër kub, në një interval kohor prej vetëm 1 orë e 30 minuta.

Pasi po vuajnë prej më shumë se 3 muajsh mungesën e ujit, stafi i rezidencës së ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë i është drejtuar edhe me shkrim ndërmarrjes UKT për të kërkuar furnizim me ujë.

Por ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kthen përgjigjen standarde më datë 4 shtator se “po merren masa për përmirësimin e situatës”.

Edhe pas kësaj përgjigjeje, kur shkuam pranë rezidencave të këtyre ambasadave, administratori i kompleksit na deklaroi se situata vazhdon të jetë e njëjtë, me mungesën e ujit dhe furnizimi është vetëm 1 orë e 30 minuta në ditë.

Mungesa e skajshme e ujit në këto rezidenca ndodh për herë të parë në 10 vitet e fundit. Dhe UKT nuk jep asnjë shpjegim pse ndodh dhe asnjë zgjidhje për furnizimin në ditët në vazhdim, duke u shndërruar kështu në problem edhe për selitë diplomatike të vendosura në Tiranë, si asnjëherë më parë.

About Krye Redaktor

Check Also

Agaçi drejt arrestimit, largohet nga Kryeministria pas thirrjes në SPAK

Një tërmet i vërtetë ka goditur pasditen e sotme godinën e Kryeministrisë. Burime për mediat …