Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe këshillit bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, thotë se Kryeministri e ka bllokuar shkarkimin e Veliajt deri tani.
I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Alimehmeti theksoi se kërkesa e Ramës për të udhëzuar Këshillin Bashkiak të vazhdojë procedurat për shkarkimin e Veliajt është një shkelje e hapur e ligjit.
“Kemi kërkuar zbatimin e ligjit. Këshilli Bashkiak ka një ligj të qartë përpara vetes, por nuk është mbledhur as për ta diskutuar”, tha Alimehmeti.
Ai theksoi se Kryeministri Rama nuk ka asnjë të drejtë të japë udhëzime ligjore për Këshillin Bashkiak, pasi ai është një organ që vepron sipas ligjit të vet.
“Fakti që kemi këtë situatë, Rama bëri një shkelje duke thënë i kërkoj këshillit bashkiak të vazhdojë procedurat ligjore. Në asnjë pikë të ligjit nuk jep kryeministri udhëzime ligjore për këshillin bashkiak”, shtoi Alimehmeti.
Alimehmeti u shpreh gjithashtu se kërkesa e Ramës për ndërhyrje të drejtpërdrejtë tregon për koncentrimin e pushtetit në duar të vetme dhe që pushteti qendror nuk mund të ndërhyjë në punët e pushtetit vendor. Ai nënvizoi se Rama ka marrë “gjithë pushtetet në një dorë” dhe kjo ka sjellë një “përplasje” mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit. Ky është qëndrimi ynë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur”, përfundoi Alimehmeti.