Genc Gjokutaj, avokati i lideri të opozitës, Sali Berisha, paraqiti në seancën e sotme gjyqësore për dosjen “Partizani” një kërkesë paraprake për shpalljen e pavlefshmërisë së akuzës dhe të gjithë akteve që rrjedhin prej saj.
Ai tha se, prokuroria ka tejkaluar kompetencat kushtetuese duke shprehur opinione politike dhe jo duke përfaqësuar interesat e shtetit.
“Ne kërkojmë pavlefshmëri absolute për marrjen si të pandehur dhe të njoftimit të akuzes për shtetasin Sali Berisha. Nga të dhënat e njoftimit nga SPAK, konstatohet se Berisha në cilësinë e tij si kryeministër, ka kryer veprime konkrete, duke marrë akte ligjore dhe nënligjore me qëllim përfitimin e familjeve pronare, ku përfitues ishte edhe Jamarbër Malltezi. Prokuroria ka tejkaluar kompetencën e saj kushtetuese, duke u bazuar në opinione. Ngritja e akuzës nuk është kryer në përputhje me ligjin. Prokuroria përdor dy standarte, për Sali Berishën vendos masë sigurie ndërsa per bazën detare të Limionit dhe për Teatrin nuk ka masë sigurie.
Ambasadorja Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.
Të njëjtën kërkesë si Berisha, bëri dhe Klodjana Gjyzari mbrojtësja tjetër e Berishës. Kjo e fundit kërkoi pavlefshmëri te akteve të SPAK. Gjyzari mbron Berishën dhe Studion Pustina në këtë proces, tha avokati Gjokutaj.
Ndërsa avokati Klodjana Gjyzari tha se, të gjitha vendimet janë marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka, mandati i së cilës duhet të kishte mbaruar që në vitin 2016.
“Irena Gjoka ka qenë e dënuar me vendim të formës së prerë. Jemi vënë në dijeni që dokumenti që ne kemi dorëzuar është vlerësuar autentik nga Prokuroria e Pergjithshme. Vendimi nuk është ekzekutuar dhe as nuk është ankimuar. Kjo tregon që vendimi ndaj Irena Gjokës është i vërtetë”, tha Gjyzari.
Nga të pandehurit, i pranishëm është vetëm Jamarbër Malltezi, i dyshuar nga SPAK për konsuminim e veprës penale “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqesohen nga avokatët.