Homazh për Charlie Kirk – “Abraham Lincolni” i kohëve moderne që radikalët e majtë e vranë

Nga Ndriçim KULLA

Edhe një herë, historia e njerëzimit provoi për të disatën herë se mund të lexohet vetëm falë gjykimit të shëndoshë. Si gjithmonë, ajo na vendos përballë ngjarjesh që na detyrojnë të kuptojmë nëse jemi apo jo në anën e drejtë të saj. Dhe kjo masë e së vërtetës shfaqet qartë, pastër si kristali, në mënyrën se si ne i qasemi dhe reagojmë ndaj këtyre ngjarjeve.

Ky është i vetmi prizëm që na lejon të mendojmë dhe të analizojmë vrasjen e tmerrshme, brutale në të gjitha dimensionet njerëzore, familjare, psikologjike dhe emocionale — përtej aspektit politik — të një legjende të gjallë siç ishte Charlie Kirk për Amerikën.

E ndiqja me magjepsje podcastin e tij brilant, duke mësuar hollësi politike për Amerikën që nuk mund t’i gjeja askund tjetër.

Është konsideruar me të drejtë si një vrasje politike. Është trajtuar njësoj si eliminimi i një aktivisti shumë influent konservator. Por e gjitha kjo nuk e shpjegon tërësisht thelbin real të asaj që përfaqësonte Charlie Kirk — jo vetëm brenda kuadrit politik amerikan, por më së pari brenda shoqërisë amerikane dhe të ardhmes së saj: rinisë.

Ai nuk u vra thjesht sepse ishte një figurë e rëndësishme politike. Ai u vra sepse krijoi një lëvizje të gjithanshme, me bazë rininë e shkollave dhe universiteteve, që më pas nisi të rrezatonte tek miliona familje kudo nëpër Amerikë. Familje që u ngritën me guxim për të folur dhe për të luftuar të keqen më të madhe — shkatërrimin e thellë që i vinte kombit të tyre nga ideologjia e ekstremit të majtë: wokizmi. Një ideologji që sulmonte familjen, identitetin kombëtar, tradicionalizmin, gjykimin e shëndoshë, martesën, lindjen e fëmijëve dhe, më së pari, besimin e krishterë.

Që 15 vjet më parë, ai e kuptoi frymën e rëndë dhe të sëmurë që wokizmi po përhapte nëpër shkolla dhe universitete. Një frymë që, me imponim radikal e të njëanshëm, po shtypte lirinë dhe po indoktrinonte rëndë të rinjtë, duke përjashtuar zërin e familjes dhe të edukimit tradicional nga debatet mbi identitetin gjinor dhe kulturor.

Si patriot i vërtetë, Charlie mori guximin, i frymëzuar nga forca dhe bindja që i jepte besimi i tij në vlerat e krishterimit — vlera mbi të cilat u ndërtua Amerika, Kushtetuta dhe demokracia e saj. I pajisur me mençuri dhe brilancë, me një të kuptuar të thellë të shkencës, historisë dhe filozofisë, ai kuptoi se lufta reale ndaj kësaj ideologjie radikale të majtë duhej të fillonte nga poshtë, jo vetëm nga lart, përmes politikës. Duhej të niste mes të rinjve, në çdo kampus të Amerikës.

Me këtë vizion, Charlie Kirk krijoi një lëvizje të mirëfilltë anti-woke, e paparë më parë në SHBA. Një lëvizje që sot krahasohet me atë legjendare të Martin Luther King për të drejtat e afrikano-amerikanëve.

Më vonë, kjo lëvizje u përqafua nga doktrina politike MAGA, që në thelb mbështet vlerat konservatore dhe ka si prioritet shkatërrimin e wokizmit, të konsideruar si rreziku më i madh për shoqërinë amerikane.

Ishte fuqia e ideve dhe vlerave që Charlie promovonte ajo që frymëzoi gjenerata të tëra të rinjsh për të ngritur zërin, për të pasur guxim, për të mos qëndruar të heshtur, të shtypur e të izoluar nga media e kontrolluar, nga elitat intelektuale dhe bota e showbiz-it amerikan — të kapura nga radikalët e majtë dhe ideologjia sorosiane.

Ky ishte thelbi i lëvizjes së tij: një thelb social, kulturor dhe fetar, përtejse politik. Një lëvizje që ndryshoi përgjithmonë shoqërinë amerikane.

Nuk ishte parë më parë një ringjallje e tillë e rinisë amerikane, një rikthim masiv tek vlerat e krishterimit dhe çdo kulture tjetër besimi. Amerika nuk kishte njohur më parë një çlirim të tillë energjish njerëzore që ngriheshin pa frikë për të sfiduar elitat me votë dhe me zë.

Kjo ndodhi falë stilit të tij sokratik të bashkëbisedimit të hapur, të lirë, me buzëqeshje e tolerancë, nën një tendë, duke shtuar pyetje e duke nxitur debat mbi çdo temë.

Shumë e kanë quajtur “Abraham Lincolni i kohëve moderne”. Ashtu si Lincoln në një kohë ndarjeje të thellë, edhe Charlie ftonte njerëzit të vinin nën tendën e tij, të diskutonin, të përballeshin me ide. Sepse mungesa e dialogut është burimi kryesor i dhunës — kjo ishte bindja e tij, e cila rezultoi fitimtare në frymëzimin e mijëra të rinjve.

Kësaj i frikësoheshin elitat radikale: fuqisë së tij frymëzuese në mbështetje të familjes, jetës dhe besimit të krishterë. Lëvizja e tij e gjallë dhe vitale, që u rrit brez pas brezi, ishte reagimi më i fuqishëm ndaj wokizmit.

Këtu qëndron absurdi i akuzave ndaj tij si “përçarës” apo “nxitës urrejtjeje”. Kur mungojnë argumentet, përdoren etiketime. Dhe kjo tregon se kundërshtarët e tij nuk ishin në anën e së drejtës.

Rinia amerikane u zgjua, kuptoi, pranoi dhe u frymëzua — përtej bindjeve politike.

Kjo është ajo që duhet të ndodhë në çdo vend që beson vërtet në një agjendë anti-woke. Një lëvizje nga poshtë, si ajo që krijoi Charlie Kirk, është e domosdoshme për Europën dhe Shqipërinë. Në çdo vend ku radikalizmi i majtë ka depërtuar si një virus, shpëtimi mund të vijë vetëm duke iu kthyer vlerave themeluese. Dhe kjo mund të realizohet përmes një lëvizjeje që nis në çdo shkollë, në çdo kampus, që ngjall dhe frymëzon rrënjët e vërteta të besimit dhe të vlerave që ndërtuan qytetërimin perëndimor.

Elitat nuk mund t’ia dalin përballë lëvizjeve të tilla. Ato janë më të pafuqishme ndaj tyre sesa ndaj politikanëve apo qeverive.

Prandaj, një pikë kthese si ajo që frymëzoi ky djalosh brilant i nevojitet edhe Shqipërisë. Një agjendë anti-woke që i jep fuqi dhe kurajë rinisë për t’u zgjuar, për të kuptuar me fakte, argumente dhe besim se kjo luftë nuk është politike në thelb, por një luftë për mbrojtjen e vlerave më të thella dhe më të qëndrueshme që kanë mbajtur gjallë qytetërimin perëndimor ndër shekuj. Është një përballje mes të vërtetës dhe manipulimit, mes identitetit dhe mohimit të tij, mes besimit dhe relativizmit moral që kërkon të shkatërrojë çdo orientim të shëndoshë njerëzor.

Ajo që ndodhi me Charlie Kirk është një alarm për të gjithë ne. Nuk është thjesht një ngjarje tragjike që ndodhi në Amerikë. Është një ngjarje që pasqyron një përplasje të madhe globale, që po ndodh edhe këtu, në Europë, në Shqipëri, në çdo vend ku liria mendore dhe shpirtërore kërcënohet nga uniformiteti ideologjik i të majtës radikale.

Dhe çfarë bëjnë elitat përballë kësaj vrasjeje të rëndë? Heshtin. Ironizojnë. Apo më keq, e relativizojnë atë, siç ndodhi edhe me heshtjen e kryeministrit të Shqipërisë, një heshtje që nuk është as neutrale, as diplomatike, por një heshtje vrastare, që përbën turp moral dhe politik për një vend aleat të SHBA-së.

Një kryeministër që nuk guxon të flasë për vrasjen e një qytetari amerikan me ndikim të madh — thjesht sepse nuk përputhet me bindjet e tij ideologjike — dëshmon se nuk është në anën e drejtë të historisë. Heshtja ndaj së keqes është bashkëpunim me të.

Charlie Kirk nuk ishte thjesht një figurë mediatike apo politike. Ai ishte një ide, një frymëzim, një forcë morale që tronditi sistemin e gënjeshtrave të instaluar nëpër universitete, media, politikë e kulturë popullore. Ai e kuptoi se liria nuk trashëgohet, por fitohet e rifitohet në çdo brez. Ai i bëri të rinjtë të kuptojnë se nuk mund të jenë të lirë, nëse nuk janë të vërtetë me veten, nëse nuk guxojnë të thonë atë që mendojnë, nëse nuk mbrojnë atë që besojnë.

Kjo është trashëgimia e tij. Dhe kjo trashëgimi nuk mund të heshtet, nuk mund të fshihet, nuk mund të vritet.

Do të jetojë në çdo njeri të ri që merr guximin të thotë të vërtetën në një botë që e quan të rrezikshme të jesh i sinqertë. Do të jetojë në çdo vajzë apo djalë që nuk pranon të jetë viktimë e indoktrinimit. Do të jetojë në çdo mësues që guxon të edukojë për vlera, jo për ideologji. Në çdo prind që zgjohet nga apatia dhe merr përgjegjësi për të ardhmen e fëmijëve të vet.

Në fund të fundit, kjo është një luftë për shpirtrat tanë, për moralin tonë, për trashëgiminë dhe për drejtësinë. Dhe në këtë luftë, Charlie Kirk do të kujtohet jo si një viktimë, por si një martir i së vërtetës, një shenjtor i kurajos civile, një Abraham Lincoln i epokës sonë, që guxoi të dalë kundër rrjedhës, kur të gjithë të tjerët preferuan komoditetin e heshtjes.

Për këtë, ai do të kujtohet.
Për këtë, ai do të respektohet.
Për këtë, ai do të vazhdojë të frymëzojë.

Dhe për këtë, ne nuk duhet të heshtim.

About Redaksia

Check Also

Tashti djalli po negocion paktin e fatit të tij

Nga Ndriçim KULLA Të korruptuarit “kanë atë, diçkanë” që u lejon atyre të  kërkojnë gjithmonë dhe  …