Nga Petrit VASILI
Një gallatë e re propagandistike ka përmbytur mediat e qeverisë.
Është gallata me hapjen e kapitujve për anëtarësimin në BE.
Foto pa fund, ngrëdheshje, buzëqeshje, mallëngjime e përqafime – këto janë ingredientët e supës më të fundit, që sorosistët e Shqipërisë dhe ata të BE-së po ju servirin nëpër ekrane shqiptarëve.
Të gjithë e dinë që hapja e kapitujve është asgjë, sepse Shqipëria është një narkoshtet tashmë botërisht i certifikuar.
Shqipëria është një lavatriçe gjigande për pastrimin e parave – edhe kjo e certifikuar botërisht.
Shqipëria është shteti më i korruptuar i Evropës – edhe kjo e vulosur botërisht.
Shqipëria, qeveria e saj, vjedh edhe vetë fondet e Brukselit, dhe këta bëjnë gallatë me hapje kapitujsh!
Shqipëria është një vend ku shteti ligjor është rrënuar, drejtësia është kapur totalisht nga Rama, ku ikin nga vendi 1 milion shqiptarë, ku policia mbron kriminelët e trafikantët dhe ku, së bashku me ushtrinë, kultivohet drogë; ku sistemi fiskal është i korruptuar dhe i degraduar; ku arsimi dhe shëndetësia janë në agoni – dhe në këtë kontekst vendoset gallata e paturpshme me hapje kapitujsh.
Sorosistët në Tiranë dhe ata në Bruksel kanë vetëm një interes:
Të parët, që të vazhdojnë të vjedhin të qetë miliarda euro, ndërsa të dytët kanë interes të vazhdojnë të mbushin xhepat me fondet për asistencën ndaj Shqipërisë, si dhe të marrin edhe “dhurata bujare” nga Rama dhe qeveria për të vazhduar tangon propagandistike të gallatës së kapitujve.
Historia e kapitujve është një histori e dalë boje, dhe kushdo që ka dy pare mend e kthen kokën dhe e sheh nga Mali i Zi dhe Serbia.
Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012 dhe ka hapur të gjithë kapitujt – plot 33 – dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 3, ndonëse është një shtet 100 herë më serioz se narkoshteti i Ramës.
Po kështu edhe Serbia i ka hapur negociatat në 2014 dhe ka hapur mbi 22 kapituj, dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 2 në 11 vjet.
Pra kjo gallatë ku sorosistët e Tiranës dhe Brukselit shkëmbejnë qoka me njëri-tjetrin është thjesht dhe vetëm një propagandë e pështirë, e sponsorizuar nga korrupsioni.
Shkrirja e Komisionit të Integrimit në Kuvend i nxjerr bojën kësaj gallate korruptive të hapjes së kapitujve, sepse Edi Rama ka zero interes për integrimin – sepse për të, orientimi sllavo-oriental është prioriteti madhor dhe i vetmi i tij.