Projektligji mbi Barazinë Gjinore – Gjinia e Shumëfishtë dhe Shkatërrimi i Familjes Tradicionale. Kush do të fitojë në Shqipëri!?

Pastor Akil PANO

Në historinë e qytetërimit, koncepti burrë–grua ka qenë themeli mbi të cilin janë ndërtuar familja, ligji, dhe vetë rendi shoqëror. Ky thelb nuk ka qenë vetëm një kategori biologjike, por një kategori kulturore, juridike dhe etike, që i ka dhënë formë institucioneve të shoqërisë. Në dekadat e fundit, në shumë vende perëndimore, ky koncept po zëvendësohet me termin “gjini e shumëfishtë”, duke krijuar një ndryshim të thellë në mënyrën se si kuptohet identiteti dhe marrëdhëniet njerëzore. Nuk bëhet fjalë më vetëm për të drejtat e minoriteteve, por për një ndryshim paradigmatik që prek familjen, edukimin, sportin, ligjin penal, ushtrinë dhe madje konceptin e vetë trupit njerëzor.

Nëse projektligji mbi ‘barazinë gjinore’ që tashmë ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë do të miratohet, pasojat do të jenë fatale. Ndryshimet do të prekin fëmijët dhe familjen, ligjin, ekonominë dhe kulturën e përbashkët.

1- Pasojat e parikuperueshme mbi familjen

Martesa është ndërtuar mbi parimin binar të dallueshëm burrë–grua, si bashkim komplementar që garanton riprodhimin dhe edukimin e brezave. Me zhdukjen ligjore të këtij dallimi, martesa humbet kuptimin e saj të natyrshëm dhe shndërrohet në një kontratë e cila mund të përfshijë çdo lloj kombinimi gjinish. Kjo çon në shkëputjen e martesës nga rendi harmonik i funksionit të saj biologjik e shoqëror duke e vendosur mbi nje platformë konfuzioni pa kthim pas.

Anulimi i koncepteve natyrore të “nënës” dhe “babait” gradualisht zëvendësohen nga terma neutralë si “prindi 1” dhe “prindi 2”. Kjo jo vetëm krijon konfuzion në edukimin e fëmijëve, por dobëson edhe modelin e qartë të identitetit gjinor që fëmijët kanë nevojë për të zhvilluar personalitetin e tyre.

Studime të shumta psikologjike tregojnë se fëmijët që rriten pa një identifikim të qartë të figurave prindërore mashkull–femër, kanë më shumë gjasa të përballen me pasiguri identitare, depresion dhe vështirësi sociale në vijim të udhëtimit të tyre.

2. Pasojat mbi ligjin

Me hyrjen e kategorisë “gjini e shumëfishtë”, sistemi juridik humbet qartësinë. Dokumente si pasaportat, kartat e identitetit, kontratat martesore dhe ligjet mbi trashëgiminë hasin probleme të reja. P.sh., në vend që të ketë dy kategori të përcaktuara, ligji përballet me dhjetëra ose qindra vetëidentifikime.

Kështu ligjvënësit do të krijojnë një tension të pashmangshëm mes të drejtave individuale të qytetarëve dhe interesit publik.

Kur ligji detyrohet të njohë çdo formë vetë-identifikimi gjinor, shpesh krijohen konflikte me të drejtat e komunitetit më të gjerë. Psh, kemi rastin e sistemit të pikëzimit për strehimin i cili nga Bashkia Tiranë është përdorur për të favorizuar individë homoseksualë dhe ka diskriminuar çiftet heteroseksuale dhe familjet në nevojë.

Një rast tjetër tipik në botë është sporti, ku pjesëmarrja e personave që identifikohen ndryshe nga gjinia e tyre biologjike ka krijuar debate të ashpra mbi barazinë dhe drejtësinë dhe meritën.

Ndryshimet ligjore do të çojnë në politizimi i gjuhës juridike. Përdorimi i termave neutralë gjinorë në ligj (si “person që lind fëmijën” në vend të “nënë”) është një formë inxhinierimi shoqëror, ku gjuha shndërrohet në mjet ideologjik, duke larguar ligjin nga baza e tij natyrore dhe historike.

3. Pasojat mbi kulturën dhe identitetin kolektiv

Shumë kultura e kanë të lidhur vetëkuptimin e tyre me simbolet e burrit dhe gruas (p.sh. ‘Krijimi i njeriut’ folklori, ritualet e martesës). Me zhdukjen e këtij dallimi, shoqëria humbet një memorie kolektive e cila ka qenë burim i solidaritetit dhe kuptimit të jetës.

Normalizohet ajo që njihet si relativizëm antropologjik. Kur gjinia nuk shihet më si realitet biologjik, por si përzgjedhje individuale dhe si ‘konstruksion social’ vetë nocioni i njeriut si qenie e trupëzuar vihet në dyshim. Kjo shpie në një kulturë ku gjithçka është e negociueshme dhe asgjë nuk është më e përbashkët. Më tej shpie në polarizim të skajshëm shoqëror. Debati mbi “gjinitë e shumëfishta” ka krijuar ndarje të thella mes atyre që e shohin si progres dhe atyre që e shohin si kërcënim ndaj rendit natyror. Ky polarizim përkthehet në përplasje politike, ideologjike dhe fetare, duke rritur tensionet shoqërore.

4. Sporti dhe drejtësia gjinore

Sporti është një nga fushat ku dallimi biologjik ka qenë më i dukshëm. Rasti i Lia Thomas (2022): Notari transgjinor fitoi tituj të rëndësishëm në kampionatet universitare të NCAA-së pasi kaloi nga kategoria mashkull në atë femër. Sportistja Riley Gaines denoncoi publikisht pabarazinë, duke theksuar se gratë humbasin podiumet që fituan me mund. (The Washington Post, 2022). Federata të ndryshme sportive, si ajo e çiklizmit në SHBA, kanë parë raste të ngjashme ku sportistë biologjikisht meshkuj kanë dominuar garat femërore.

Ky fenomen krijon pabarazi sistematike, duke minuar dekada përpjekjesh për barazi gjinore në sport. (Harper, J., Journal of Medical Ethics, 2021).

5. Burgjet dhe siguria e grave

Zhvendosja e burrave biologjikë që identifikohen si femra në burgjet e grave në SHBA ka sjellë pasoja serioze. Në Kaliforni (2021), mbi 250 meshkuj u transferuan në institucione e vuajtjes së dënimit të grave. Raporte të Los Angeles Times tregojnë se kjo solli raste shtatzënie tek të burgosurat. Organizata feministe WoLF ngriti padi duke argumentuar se kjo praktikë minon të drejtën e grave për siguri (WoLF Report, 2022).

Këto politika, në vend që të mbrojnë minoritetet, krijojnë viktimizim të grave dhe tension ligjor mes “të drejtave të grave” dhe “të drejtave trans”.

6. Ushtria dhe siguria kombëtare

Politikat amerikane pas 2021 lejojnë transgjinorët të shërbejnë hapur në ushtri. Pentagon ka raportuar se kostot e kujdesit shëndetësor arritën miliona dollarë në vit për trajtime hormonale dhe kirurgjikale (DoD Report, 2021) të transgjinorëve në ushtri. Kritikët theksojnë se tranzicioni gjinor shpesh sjell pasiguri operative dhe probleme në njësitë ushtarake (Sachs, Military Review, 2022).

Ushtria, një institucion i ndërtuar mbi rregull, disiplinë dhe kapacitet fizik, gjatë viteve të fundit në SHBA, u ekspozua ndaj eksperimenteve sociale që dëmtojnë efikasitetin dhe mbrojtjen.

7. Edukimi dhe ideologjizimi i fëmijëve

Me ndryshimet ligjiore Shkollat u shndërruan në qendra të përplasjeve kulturore. Në Kanada (Ontario, 2019), fëmijëve 6–7 vjeç iu prezantuan materialet “Gender Unicorn” dhe “Genderbread Person” për të zgjedhur gjininë. (CBC News, 2019). Në Britani, shkollat me tualete neutrale raportuan rritje të frikës dhe bullizmit mes vajzave adoleshente (The Times, 2022). Në SHBA (Loudoun County, 2021) një djalë që identifikohej si vajzë përdori banjot e femrave dhe kreu një sulm seksual, rast që u mbulua fillimisht nga autoritetet arsimore. (Washington Times, 2021).

Në vend që të mbështesin fëmijët në zhvillim, këto politika shpesh krijojnë konfuzion identitar dhe trauma (Sullins, P., International Journal of Research & Method in Education, 2020).

8. Tualetet neutrale dhe hapësirat publike

Në disa shtete të SHBA-së dhe Europës janë vendosur tualete neutrale. Raporte të shumta tregojnë për abuzime, shqetësime higjienike dhe pasiguri për vajzat (Guardian, 2020). Ekstremizmi kulturor ka çuar deri tek eksperimente absurde, si krijimi i “hapësirave për katër putrakët” në disa shkolla të SHBA-së për nxënës që identifikohen si “animal-kin”.

Politika të tilla çojnë në një normalizim të absurdit, duke zëvendësuar sensin praktik me ideologji.

9. Bllokimet hormonale dhe ndërhyrjet kirurgjikale tek fëmijët

Ky është aspekti më kritik dhe me pasoja afatgjata. Bllokuesit e pubertetit si Lupron dhe Supprelin përdoren për të pezulluar zhvillimin seksual. Studime të Endocrine Society tregojnë rreziqe të tilla si osteoporozë, sterilitet dhe depresion (Hembree et al., 2017). Kirurgjitë e hershme: Klinika si “Boston Children’s Hospital” kanë kryer mastektomi tek vajza 13–15 vjeçare. (Boston Globe, 2022). Cass Review (Britania, 2023): një hetim kombëtar kritikoi qendrën Tavistock, duke e akuzuar për “praktika joshkencore” dhe mungesë të evidencës për sigurinë e trajtimeve të hershme.

Statistikat nga SHBA tregojnë rritje dramatike: nga 2016 deri në 2020 numri i adoleshentëve që morën bllokues puberteti u rrit me mbi 300% (Reuters, 2022).

Përshkak të ndryshimeve të ligjit mbi ‘gjininë e shumëfishtë’ maskuar nën termin barazia gjinore, fëmijët janë ekspozuar ndaj eksperimenteve mjekësore me pasoja të pakthyeshme mbi trupin, fertilitetin dhe shëndetin mendor.

Çështja e fundit:

10- Pse e majta ekstreme e ka agjendë shkatërrimin e familjes tradicionale?

Shumë studiues dhe sociologë argumentojnë se familja tradicionale është bastioni kryesor i autonomisë morale dhe sociale kundër shtetit totalizues (Berger & Luckmann, The Social Construction of Reality, 1966).

Përmes kundërkulturës dhe wokizmit, e majta ekstreme synon të zhbëjë strukturat e trashëguara që kufizojnë fuqinë e ideologjisë së saj. Familja ofron modele të qëndrueshme roli, qëndresë ndaj ideologjisë dhe transmetim të vlerave të qëndrueshme (Durkheim, The Division of Labour in Society, 1893).

Duke relativizuar gjininë dhe duke e zëvendësuar me identitete fluide, shteti merr rolin e prindit, duke kontrolluar formatimin e brezave të rinj.

Për më tepër, shkatërrimi i familjes krijon individë të fragmentuar, më të lehtë për t’u manipuluar politikisht dhe ekonomikisht.

E majta ekstreme e sheh familjen tradicionale si pengesën kryesore për instalimin e një shoqërie të re pa identitete të qëndrueshme. Përmes kundërkulturës dhe wokizmit, ajo kërkon të dobësojë rolin e burrit, gruas, duke e zëvendësuar me një identitet fluid, të kontrolluar nga shteti dhe ideologjia. Kjo nuk është barazi, por forma më efikase e inxhinierisë sociale që synon transformimin e shoqërisë nga themelet.

Zhdukja e konceptit burrë–grua dhe zëvendësimi me gjini të shumëfishta në vendet e aplikuara nuk ka sjellë barazi, por ka prodhuar: Probleme në familje, pabarazi në sport, pasiguri në burgje, kosto të larta dhe rreziqe në ushtri, konfuzion në shkolla, abuzime në hapësirat publike dhe eksperimente shëndetësore mbi fëmijët.

Ky nuk është një transformim neutral, por një projekt ideologjik që ka pasoja shkatërruese për familjen dhe rendin shoqëror. Të gjitha arsyet që kam renditur në këtë artikull paraqesin një JO të MADHE e të arsyetuar për moslegalizimin e projektligjit mbi ‘Barazinë Gjinore.’ Me legalizimin e këtij projektligji humbasim të gjithë. Edhe ata të cilët mendojnë se do të kenë përfitime. Edhe qeveria. Më shumë, humbasin fëmijët, familja, e ardhmja. Humb Shqipëria.

Zoti e bekoftë familjen! Zoti bekoftë Shqipërinë!

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …