Tabaku: Parlamenti nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve, po vendosni një njollë akoma dhe më të zezë…

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvend e cilësoi nisjen e sesionit të ri si një akt të shkeljes së Kushtetutës dhe të rregullores së Parlamentit. Sipas saj, në vend që të garantohet hapësira për opozitën dhe të përfshihet ajo në vendimmarrje, mazhoranca po thellon përjashtimin dhe po dhunon parimet kushtetuese që në hap të parë.

“Javën e shkuar në nisje të këtij legjislacioni, ne të gjithë u betuam në Kushtetutë. U betuam që do e zbatojmë këtë Kushtetutë dhe në seancën e parë të Parlamentit ne e nisim me shkelje. Sesionin e kaluar ne e mbyllëm sërish në shkelje të Kushtetutës. U mbyll me vendime të Gjykatës Kushtetuese të pazbatuara, u  mbyll me hapësirën e opozitës të cenuar, u mbyll me një sjellje e cila e ngushtoi akoma më shumë hapësirën e debatit parlamentar.

Rregullorja e parlamentit kishte me të vërtetë nevojë të ndryshohej. Ka nevojë të ndryshojë me një debat të gjerë, sesi mund ti bëjmë deputetët më përgjegjës, sesi mund të sjellim një ligj për konfliktin e interesit, sesi mund ti bëjmë deputetët më afër qytetarëve, si një paketë e plotë duke përfshirë njëkohësisht edhe deputetët e opozitës edhe grupet parlamentare. Ndërkohë që ju, që në aktin e parë si kryetar Kuvendi, nisni një procedurë, e cila sipas Kushtetutës duhet të zgjasë jo më pak se një javë.

Kolegët këtu, zoti Bardhi, Bylykbashi, ju cituan nenin 83 pika 2 të Kushtetutës. Ne sot mund të kishim patur nevojë për një debat parlamentar sesi mund të rrisim hapësirën e opozitës, në një moment kur të gjitha hapësirat janë zënë, janë uzurpuar nga mazhoranca dhe jo të bëjmë hapa pas. Struktura e re e komisioneve nuk reflekton as procesin e integrimit, nuk reflekton as përfaqësimin më të mirë dhe as nuk reflekton njëkohësisht as prioritetet që ka sot Shqipëria. Është e pa nevojshme kjo që po bëni, po e nisni sesionin parlamentar, legjislaturën, detyrën tuaj, duke shkelur me dy këmbë rregullat e përbashkëta të lojës që duhet mazhoranca dhe opozita të bien dakord, dhe nga ana tjetër mburreni për procesin e integrimit.

Procesi i Integrimit, në radhë të parë është gjithëpërfshirje. Procesi i integrimit është dakordësi. Procesi i Integrimit është njëkohësisht edhe zbatimi i rregullave. Çfarë vlere ka sa kapituj hapen e mbyllen kur ti shkel kushtetutën pa nisur Parlamenti. Çfarë vlere ka sa ligje përafrohen kur procedura e përshpejtuar nga përjashtim nga rregulli është kthyer në një rregull në këtë parlament. Parlamenti sot, fatkeqësisht nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve, por të paktën Ju, ju takon që si kryetar Kuvendi të jeni simbol i unitetit edhe i debatit në këtë parlament. Shkelja e Kushtetutës dhe e rregullores pa nisur sesioni parlamentar, vendos një njollë akoma dhe më të zezë mbi këtë Parlament”, tha Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …