Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference për media komentoi mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur të sulmit me tritol në banesën e deputetit Xhelal Mziu.
Berisha e cilësoi këtë si një akt të pastër terrorizmi shtetëror ndaj një deputeti dhe familjes së tij, duke shtuar se masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka shkaktuar dëme edhe në zonën përreth.
Ai tha se, ky sulm është një përpjekje për të mbyllur gojën e opozitës, ndërsa akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama dhe strukturat e shtetit për lidhje me bandat kriminale që, siç tha, sot janë “pronë totale e qeverisë”.
“Së pari me një ndjesë për këtë shtytje të detyruar të konferencës për shkak, e kuptoni vetë, të një trafiku të pashembult që ekziston në rrugët e Tiranës.
Dhe zoti Mziu, që është nisur me kohë për të ardhur në këtë konferencë, iu desh trefishi i kohës.
Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij.
Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore.
Bandat janë sot pronë totale e shtetit.
Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth.
Ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës.
Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve.
Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale”, tha Berisha.
