Paloka: Berisha sot është i pazëvendësueshëm në këtë betejë!

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka deklaruar se Sali Berisha mbetet figura kyçe dhe e domosdoshme për PD-në, në kushtet aktuale politike në vend.

Gjatë një interviste për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Paloka iu përgjigj pyetjes nëse Berisha duhet të vijojë të drejtojë partinë, duke theksuar se largimi i tij nuk do të zgjidhte problemin kryesor: manipulimin e zgjedhjeve nga mazhoranca.

“I thashë Agron Shehajt kur garoi me Lulzim Bashën në zgjedhjet në PD: Si e zgjidh ti problemin e manipulimit të zgjedhjeve nga Rama? Ikën Berisha, vjen një tjetër, por Rama prapë do i vjedhë. Nuk është se po iku Berisha, Rama nuk do i vjedhë më zgjedhjet”, u shpreh Paloka.

Sipas tij, Berisha ka qenë njeriu që ka punuar më shumë se kushdo tjetër brenda PD-së dhe ka marrë përsipër barrën kryesore të denoncimit të asaj që e cilësoi si ‘farsë elektorale’.

“E kam thënë dhe më parë: Berisha është i domosdoshëm për partinë. Nuk e them se është Berisha, por sepse sot është i pazëvendësueshëm në këtë betejë”, theksoi Paloka.

Duke komentuar zërat brenda partisë që i referohen statutit të PD-së, sipas të cilit kryetari duhet të largohet pas humbjes së zgjedhjeve, Paloka tha se vendimet duhet të bazohen në interesin real të partisë dhe jo thjesht në interpretime formale të rregullave.

“Ata që na tregojnë statutin, harrojnë se ne jemi njerëz që gjykojmë. Nëse prej statutit do bëjmë një zgjedhje që i bën dëm partisë, kot jemi aty”, deklaroi ai.

Paloka nuk përjashtoi mundësinë që Berisha, në një moment të përshtatshëm, mund të marrë vetë një vendim për tërheqje, por nënvizoi se ‘ky moment nuk është tani’.

Në intervistën e tij, Paloka u ndal edhe te sfida më e madhe për opozitën: mungesa e garancive për zgjedhje të ndershme. Ai tha se problemi nuk qëndron te emri i kryetarit, por te sistemi që, sipas tij, lejon manipulimin sistematik të votës nga qeveria.

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …