Këlliçi: Bolino i favorizuar nga Rama grabiti truallin e shkollës, nuk tërhiqem!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi është shprehur se nuk do të tërhiqet nga gjyqi për shpifje ndaj gazetarit Carlo Bolino, të cilin e ka denoncuar publikisht për grabitjen e pronës publike për qëllime personale dhe kundër opozitës.

Në një deklaratë për mediat nga Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës, pas shtyrjes së seancës për shkak të ndërrimit të prokurorit të çështjes, Këlliçi tha se, u qëndron deklarimeve të tij, dhe këtë e argumenton me faktin se kemi të bëjmë me një aferë korrupsioni të grabitjes së trullit në mes të kryeqytetit, e cila ishte planifikuar për ndërtimin e një shkolle por që iu dha një hajduti si Carlo Bolino nga qeveria dhe Ministria e Financave që dikur drejtohej nga Anila Denaj.

“Qëndrimeve tona s’u lëvizim, kemi të bëjmë me një rast afere të grabitjes së truallit në mes të Tiranës, duke lënë Njësinë 7 pa shkollë e 70 mijë banorët pa çuar fëmijët në shkolla. Carlo Bolino i favorizuar nga Rama dhe Ministria e Financave, që asokohe drejtohej nga Anila Denaj, ka grabitur një truall publik për të ngritur  një televizion privat, që linçon opozitën e këdo që denoncon aferat e korrupsionit në Shqipëri. Më 11 korrik kemi depozituar një kërkesë në SPAK, ku kemi kërkuar informacion për dy kallëzimet e depozituara nga 2 deputetë të PD, për truallin dhe fondet e AKSHI-t, për  vjedhjet me fondet private. SPAK po kryen veprimet hetimore dhe ka bashkuar dy kallëzimet në një, deri sa të marrin përgjigje ne do të vijomë të paraqitemi në Gjykatën Penale’, u shpreh Këlliçi.

Nga ana e saj, Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, njëkohësisht përfaqësuese ligjore e Këlliçit në gjyqin kundër tij për shpifje, Adriana Kalaja tha se deklaratat e dy zyrtarëve të PD, Belind Këlliçi dhe Jamarbër Malltezi, qëndrojnë, pasi ka prova të pakontestueshme që i dokumentojnë akuzat.

“Edhe pse kemi deklaruar se thëniet e Këlliçit e Malltezit s’përbëjnë shpifje, sa kohë ka prova të pakontestueshme për aferën në mes të Tiranës, që Carlo Bolino vetëm titullin gazetar ka, ku ka ndërtuar godinën që i shërben pushtetit duke goditur opozitën që denoncon korrupsionin. Kemi përcjellë të dhëna në gjykatë, për 2 kallëzimet penale që kanë bërë kundër shtetasit Carlo Bolino. Nga informacionet e SPAK, kallëzimet janë bashkuar në një dosje të vetme. Vetë Gjykata e Tiranës i ka dërguar shkresë SPAK për t’i vënë në dispozicion dosjen me kallëzimet e deputetëve të PD. Jo vetëm që është farsë e Bolinos për të abuzuar me pronën publike dhe tregon se për të mbyllur gojën e Këlliçit e të tjerëve, bën këto manovra ligjore se jemi përballë veprës penale, shpifja’”, tha Kalaja.

About Redaksia

Check Also

Përgjimet e Antimafias për Ramën/ Dy kullat për të cilat u diskutua në Aruba

Sali BERISHA Një grup ministrash, bashkëpunëtorë të narkoterrorizmit ndërkombëtar, kanë udhëtuar me një çarter në …