Merret i pandehur kryebashkiaku i Kolonjës, 4 akuzat që rëndojnë mbi të

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Kryebashkiaku socialist është marrë i pandehur në kuadër të një procedimi penal që SPAK e ka regjistruar pas kallëzimit të avokatit nga Korça Esmerald Xhafa, teksa mësohet se hetimet po ndiqen nga prokurori Dritan Prençi.

Bashkë me Erion Isain, janë marrë të pandehur edhe 6 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, të cilët po ashtu akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Ata kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Kolonjës.

Një prej çështjeve për të cilat është marrë i pandehur Erion Isai ka të bëjë me ndërtimin e aksit rrugor Korçë-Ersekë. Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se nuk janë respektuar udhëzimet e autoritetit kontraktues dhe, po ashtu, cilësia e punimeve ka qenë e dobët. Gjithashtu, dyshohet se ka qenë e paracaktuar nga Erion Isai dhe anëtarët e KVO-së, kompania fituese për tenderin për ndërtimin e pjesës që i takonte Bashkisë së Kolonjë.

Rruga Korçë – Ersekë është gjithsej 35 kilometër e gjatë, standard normal i kategorisë C, me vetëm një korsi. Ndërtimi i aksit u nda në dy pjesë. Pjesa e parë me gjatësi 18 kilometra u bë gjatë qeverisjes demokrate me kosto totale 15 milionë euro.

Ndërsa pjesa e mbetur me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë fillestare 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro. Por, faturës së kripur iu shtuan dhe 9,4 milionë euro përmes dy procedurash modifikimi të kontratës. Pra, Qeveria “Rama” e ndërtoi gjysmën e rrugës me mbi 3 herë kosto më të larta se Qeveria e Berishës.

Me këto ndryshime, kosto totale e rrugës shkoi në 72,4 milionë euro pa TVSH. Rruga Korçë-Ersekë duhet të përfundonte në qershor të vitit 2023. Por afati u shty me një vit dhe teksa pritej inagurimi, një pjesë e rrugës u ‘shkërmoq’ pasditen e 18 shkurtit të vitit 2024, ende pa nisur qarkullimi i mjeteve.

Punimet për këtë aks rrugor u kryen nga kompania “A.N.K ” e familjes së ish-deputetit Ndue Kola, ndërsa autoriteti prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Ndërkohë, mësohet se Erion Isai akuzohet edhe për tenderat e rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit, Ujësjellësin e Kolonjës dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.

Për kallëzimin në fjalë, Erion Isai është thirru në SPAK më 15 Janar të këtij viti, ku ka dëshmuar për rreth 1 orë, ku refuzoi të tregonte për mediat arsyen e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme.

“Njësoj këndshëm! Mund të them që dhashë disa shpjegim shtesë nga 2023. Nuk e di nëse duhet të them çështjen. Isha deklarues. Dhashë shpjegime shtesë.” – tha Erion Isai.

Kjo për shkak se ai kishte dëshmuar në SPAK edhe më 30 Maj të vitit 2023, ku në atë kohë dëshmoi për rreth 3 orë për një çështje ku ai u pyet si person në dijeni.

“Është një ngjarje e vjetër, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë. Kam qenë i thirrur si person në dijeni për një ngjarje. Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, a lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni. I takon prokurorisë se kë po heton, unë jam pyetur si person që ka dijeni. Hetuesit ishin në humor, pse të mos jenë në humor Ishte hera e parë në Prokurori, ishte këndshëm”, ka thënë ai në atë kohë pas daljes nga SPAK.

About Redaksia

Check Also

Rama tërhiqet nga leja për kullën që ‘pushtonte’ Ambasadën amerikane

Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi të shfuqizojë lejen e ndërtimit për Embassy Tower, kullën 47 …