Deputetja e PD, Jozefina Topalli, gjatë seancës plenare në Kuvend foli për shkeljet e rënda kushtetuese që po ndodhin në procesin parlamentar.
Ajo vuri në dukje se vendimi për futjen në rendin e ditës të një dekreti presidencial është antikushtetues dhe i pa precedent, cenon thelbin e demokracisë dhe traditën e parlamentit shqiptar, duke kërkuar respektimin e rregullave dhe konsensusin e nevojshëm për funksionimin e Kuvendit.
“Neni i parë i Kushtetutës thotë që Shqipëria është republikë parlamentare, dhe para se të nisnin seancat, deputetët janë betuar mbi këtë Kushtetutë – e pas kësaj kanë filluar me shkeljen brutale të saj, dhe nuk shpëtoni as ju. Futja në rendin e ditës e një dekreti antikushtetues, që më shumë ngjan me një mem, është gjëja më e pabesueshme.
Unë nuk e di sa deputetë ka këtu që janë prej vitesh, por mund t’i pyesni: a ka ndodhur ndonjëherë të përfshihet në rendin e ditës një dekret i Presidentit për një lodër teknologjike? Pyeteni Gramoz Ruçin: a ka ndodhur ndonjëherë në 3 dekada që në Parlamentin e Shqipërisë, një fillim legjislature të nisë pa konsensus, në thyerje të Kushtetutës, në shkelje të çdo historiku të paktën parlamentarizmi?”, tha Topalli.