Beteja për Tiranën – Një mur qytetar përballë kandidates “rilindase”!

Nga Iva V.GRILLO

Nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se përballja për Tiranën do të jetë e vështirë. Kjo jo për shkak të cilësive të kandidates rilindase e cila për më tepër ka dhe llogari të hapura me drejtësinë (gjë që duket se është parakusht për të qënë bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit), por për shkak të kapjes së shtetit dhe nivelit qelizor dhe kriminal të patronazhimit.

Duke lënë mënjanë debatin nëse opozita duhet apo nuk duhet të konkurojë – gjë që është një debat i kuptueshëm në këtë realitet distopik të krijuar nga regjimi, nëse opozita vendos të dalë në fushëbeteje, do t’i duhet të punojë fort për t’u siguruar që pērballë kandidates rilindase të ketë NJË KANDIDAT TË VETËM OPOZITAR: me integritet, të përgatitur dhe që përfaqëson qytetarinë dhe shpresat e njerëzve të ndershëm të Tiranës.

Beteja për Tiranën vërtetë është një luftë e rëndësishme politike për çdo subjekt politik, pavarësisht se për arsye të ndryshme. Dikush dëshiron të fitojë, dikush t’a përdorë për vizibilitet, dikush që të rrisë profilin politik e publik të forcës së vet politike, etj… Të gjitha këto janë legjitime.

Por Tirana e qytetarët e saj kanë nevojë më shumë se kurrë që kjo të jetë një betejë e fuqishme për qytetarinë! Ndaj momenti e kërkon që forcat politike që e quajnë veten opozitare, të gjitha pa përjashtim, të dalin disi nga vetja dhe të shohin përtej gardhit të tyre, duke i ofruar Tiranës NJE KANDIDAT TE VETEM me integritet dhe të gjithëpranuar, përballë kandidates së regjimit Rama.

Kjo nuk është një betejë ideologjike dhe nuk duhet parë si e tillë: bërja e qytetarëve bashkë kundër vjedhjes dhe talljes është një emergjencë kombëtare që është “A” e çdo plani politik, sepse pavarësisht nga përkatësia politike, qytetarët thithin të njëjtin ajër, pijnë të njëjtin ujë, ngecin në të njëjtin trafik dhe paguajnë të njëjtat çmime marramendase për të blerë një cooë apartament ku të fusin kokën.

Ndaj përballë Ramës dhe kukullave të tij, përpara çdo plani politik duhet të prevalojë emergjenca e krijimit të “murit qytetar”!

Nuk ka asnjë antidot tjetër ideologjik kundër kapjes së shtetit përveç krijimit të masës kritike të reagimit qytetar dhe daljes me një kandidat të vetëm që përfaqëson shpresat e njerëzve të mirë të Tiranës.

Nga forcat opozitare pritet maturi dhe koordinim!

Dhe mbi të gjitha qartësi se beteja për Tiranën është shumë më e rëndësishme se ndasitë politike e ideologjike!

About Redaksia

Check Also

Yurit nuk i ndahet shpirti nga ne…

Nga Meri LIKA Kisha kohë qe e kisha harruar Yurin, jo Juri Gagarinin se atë …