Vangjeli: Ku shkuan 8.5 milionë eurot e tenderit të AKSHI-t për sistemin e gjendjes civile? Rama të japë llogari

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Gjatë prezantimit të ministres së re të Punëve të Brendshme, Kryeministri Edi Rama theksoi se një ndër prioritetet e kësaj ministrie do të jetë zgjidhja e problematikave që lidhen me funksionimin e regjistrit të gjendjes civile.

Por, për këtë situatë, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi vetë Kryeministrin.

Nga viti 2022 deri në vitin 2025 Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në varësi të tij, ka tenderuar plot 8.5 milionë euro për ‘përmirësimin’ dhe mirëmbajtjen e sistemit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile.

Për përmirësimin e sistemit është kontraktuar kompania Soft & Solution shpk, në pronësi të Ermal Beqirit.

Ndërkohë, për mirëmbajtjen e regjistrit është kontraktuar ndër vite kompania e huaj Xion IT Systems GmbH.

Sot, edhe pse janë tenderuar miliona euro, Kryeministri pranon publikisht se sistemi i gjendjes civile vazhdon të ketë probleme serioze.

Pyetja jonë për Edi Ramën është e qartë:

Ku kanë shkuar 8.5 milionë euro të tenderuara gjatë tre viteve të fundit, nëse sistemi i gjendjes civile vijon të ketë probleme serioze?

A ekziston vullneti i organeve të drejtësisë për të hetuar këto miliona euro të shpenzuara në një prej institucioneve më problematike të vendit, apo do të vazhdojë sërish heshtja?

About Redaksia

Check Also

Balluku e pandehur/ Çfarë shkruhet në fletëthirrjen e prokurorëve

Në fletëthirrje, Ballukut i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e …