Nga Elona CASLLI
Slogani që mund të përputhej deri në përsosmëri me qeverisjen rilindase është: “ Gjithçka është e bëshme dhe asgjë nuk është e dënueshme”. Në këto kohë të çartura kemi pare kabinetin rilindas të bëjë gjithçka dhe të mos dënohet për asgjë. Mjafton të shohësh deklaratën e Ministres së Bujqësisë, Frida Krifca lidhur me ndërprerjen e fondeve nga BE-ja dhe bindesh se në këtë vend rilindasit mund të bëjnë gjithçka dhe mund të mos dënohen për asgjë.
Ministrja e Bujqësisë shpallet “ Non grata” nga BE-ja e cila ndërpret fondet për bujqësinë dhe ministrja në fjalë shprehet se në letrën e dërguar nga Komisioni Evropian nuk ishte e shkruar fjala “ korrupsion”.
Inceneratori i Fierit dhe ai i Elbasanit nuk punon. Ai i Tiranës nuk ka filluar të ndërtohet. Pronarët e inceneratorëve, të shpallur në kërkim, vazhdojnë ende të marrin milionat nga shteti shqiptar.
Policia e Shtetit pohon se ka filluar ta kërkojë Ahmetajn në shtëpitë e familjarve të tij, ndonëse dihet se ky i fundit nuk ndodhet në Shqipëri. SPAK-u pohon se ka prerë fletën e arrestit për Ahmetajn, ndonëse me pak vonesë.
Veliaj akuzon opozitën se i ka mbetur sahati te “oh llaçi bojs”, ndërkohë që ky i fundit po sjell me taksat e shqiptarëve yjet e muzikës.
Shqiptarët paguajnë 90.000 euro në ditë për TEC-et amerikane që nuk kanë punuar asnjë ditë.
Klodian Zoto nga arratia pretendon se është i pafajshëm për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Post Scriptum- Kryeministri kërkohet në parlament për të dhënë llogari për skandalet e fundit, por është tepër i zënë duke bërë videoklipin e radhës me Belinda Ballukun.