Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, thirrje Qeverisë që të ndalë ndërtimet në zonat e mbrojtura

Kongresi i Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN votoi në favor të mbrojtjes së natyrës në Shqipëri, duke e quajtur të pajustifikueshme sakrifikimin e zonave të mbrojtura për projekte në shërbim të turizmit masiv.

Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA njoftoi se Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës ka votuar në favor të ruajtjes së mjedisit në Shqipëri, ndërsa i bën thirrje qeverisë shqiptare që të kufizojë ndërtimet në zonat e mbrojtura.

“Në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës u votua në favor të forcimit të kufizimeve kundër infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit,” shkruan njoftimi për shtyp i PPNEA.

Më shumë se 98% e anëtarëve të IUCN votuan Mocionin 130, një propozim formal nga anëtarët e unionit për të formësuar politikat globale të ruajtjes së natyrës dhe për të ndikuar mbi qeveritë dhe bizneset.

Qeveria Shqiptare ndryshoi Ligjin për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024 si “në përputhje me kriteret e IUCN”, por në realitet ky ligj është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës. Ligji i ri u hapi rrugë investimeve dhe projekteve kontroverse në dëm të natyrës, të tilla si aeroporte, centrale energjetike dhe komplekseve të mëdha turistike edhe brenda zonave të mbrojtura.

“Zonat e Mbrojtura ekzistojnë për t’u ruajtur, jo për zhvillim masiv”, vijon më tej njoftimi për shtyp.

Sipas anëtarëve të Unionit Ndërkombëtar të Ruajtjes së Natyrës, nuk ka asnjë justifikim për zhvillimin e turizmit të paqëndrueshëm duke sakrifikuar Zonat e Mbrojtura.

“Ky ndryshim shqetësues ligjor minon mbrojtjen e biodiversitetit, angazhimet për anëtarësimin në BE dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike”, shkruhet në njoftimin e mjedisorëve.

IUCN i bëri gjithashtu thirrje Shqipërisë të rivendosë mbrojtjen kundër ndërtimit të aeroporteve, resorteve luksoze dhe projekteve të tjera të mëdha infrastrukturore në zonat e Kategorisë I & II të IUCN./BIRN

About Redaksia

Check Also

Rama kap edhe Shoqatën “Tirana” me Hajdarin e tij

Adnand DEDA Sot me derguan te degjoj fjalimin programatik te nje njeriu qe prezantohej si …