Yurit nuk i ndahet shpirti nga ne…

Nga Meri LIKA

Kisha kohë qe e kisha harruar Yurin, jo Juri Gagarinin se atë ka kohë që nuk e kujtoj, por e kam fjalën për Yuri Kimin, ish ambasadoren më VIP të të gjitha kohërave.

Isha përpjekur shumë që edhe kur nëpër portale kishte lajme rreth saj, t’i lija pa lexuar sepse për mua ishte një histori e shkuar e cila e dëmtoi shumë demokracinë në Shqipëri prandaj kisha vendosur ta lija pas.

Por, lajmi i sotëm për të, nuk më la aspak indiferent. “Yuri Kim punësohet nga firma e Tigrit 1 dhe Tigrit 2”.

Unë jam një qytetare e thjeshtë e kësaj republike kaq “lilipute”, në numrin e madh të republikave dhe mbretërive, e kësaj republike e cila nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim në asnjë vendim botëror.

Por, edhe pse jetoj në një vend kaq të vogël dhe të parëndësishëm, edhe unë ashtu si dhe qytetari i superfuqive të mëdha, e dua lirinë, demokracinë, dua të jetoj në një vend ku nuk më vjedhin, në një vend ku atdheun nuk ma trajtojnë si plaçkë që ta shesin dhe ta blejnë diplomatët e rëndomtë të shteteve të mëdha.

Sot, ditën ma vranësoi ky lajm i radhës, rebeshi i maskarenjve që i vardisen pushteteve gjithmonë më bën të ndihem e pafuqishme, e sidomos kur nëpër suitat e zyrave të pushtetit ikin e vijnë ata si Knut Fleckenstein i cili nga darka në mëngjes shëndrrohet nga përfaqësues i Evropës në këshilltar i Elisës, apo si Yuri e cila pasi na ushqeu me bar në emër të demokracisë. do të paguhet nga taksat tona tek firma për të cilën luftoi aq shumë në krahë të Belës derisa e mundëm Gjermaninë.

Kjo histori nuk është e re. Në vendin tonë, dera e famshme rrotulluese mes pushtetit, servilëve të tij dhe biznesit, funksionon pa u ndalur.

Gjithmonë, janë të njejtët njerëz që mbeten lart të mbërthyer pas këmbëve të karrikeve pushtetmbajtëse, gjithmonë shërbëtorët e gjejnë rrugën për t’iu afruar pushtetit. Ky është ligji i pathyeshëm i tranzicionit shqiptar.

Ironia është se këto raste nuk quhen as skandal, as konflikt interesi. Përkundrazi, paraqiten si histori “suksesi”. Por ajo që më dhemb më shumë është justifikimi që ne si popull iu bëjmë këtyre veprimeve.

Lajmi: Ambasadorja gjeti punë të mirë pas misionit të saj.

Reagimi: çfarë ka këtu për t’u habitur?

Lajmi: një kompani që përfitoi nga ndikimi i saj tani e shpërblen duke e punësuar.

Reagimi: E po pastaj biznes privat është bën çfarë të dojë.

Sipas mendimit tim, kjo është vetëm një provë tjetër se politika, diplomacia dhe biznesi nuk janë kurrë larg njëri-tjetrit. Se diplomacia është shitur në mënyrën më të ulët të mundshme për të ndihmuar mbajtjen në pushtet të Edi Ramës.

Ky vend, të cilit i ka vdekur shpirti i protestës, është i ndarë mes atyre që gjithmonë gjejnë vend për veten dhe atyre që gjithmonë paguajnë faturën për këta të fundit. Dhe për sa kohë “ligji i të shiturve e të blerëve” do të funksionojë sepse ne nuk reagojmë, Shqipëria do të mbetet një vend ku pazarxhinjtë të veshur apo jo me petk diplomatik, nuk do të ngelen kurrë pa punë, ndërsa qytetari i zakonshëm nuk do të mund të dalë nga kurthi i pasigurisë.

Kështu, satira shndërrohet në realitet të përditshëm. Termocentralet e Vlorës janë thjesht një simbol më shumë i këtij zinxhiri pafund, ku kocka ndahet mes shërbëtorëve, e popullit nuk i mbetet asgjë tjetër por të paguaj lëpirësit, servilët e matrapazët.

Pazarxhinjtë nuk ngelen pa shpërblim , ky është titulli i kësaj historie, dhe fatkeqësisht, edhe i së ardhmes sonë.

About Redaksia

Check Also

Gjithçka është e bëshme dhe asgjë nuk është e dënueshme

Nga Elona CASLLI Slogani që mund të përputhej deri në përsosmëri me qeverisjen rilindase është: …