Manjani: Presidenti është shtet, jo pushteti! Nëse do ta kishte bërë Meta, do ishte shkarkuar

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me dekretin e presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli datën për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 Bashki.

Në dekretin e Begajt janë përfshirë edhe zgjedhjet në Tiranë, edhe pse Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë nga Këshilli i Ministrave me 25 shtator.

Ylli Manjani shkruan se nëse dekretin e sotëm të Begajt do ta kishte nxjerrë Ilir Meta, ai do të ishte shkarkuar përmes një komisioni hetimor.

Reagimi i plotë i Manjanit

Nejse, ndoshta nuk vlen më asnjë sekond i harxhuar për të sqaruar Kushtetutën e vendit. Në fakt e kemi stër-sqaruar nenin 115 të saj në çdo okazion publik. Vetë Gjykata Kushtetuese në qëndrim publik dje ka thënë se “…vendimi i qeverisë është automatikisht i pezulluar”.

Por nëse dekretin e sotëm do ta kishte nxjerrë Ilir Meta, do ishte ngritur direkt komision hetimor dhe, do ishin çelur proçedurat për shkarkim. Besoj e kujtoni hetuesinë e Ulsiut në krye të komisionit kundër Metës.

Një gjë dua ta them qartë:

E kuptoj plotësisht nevojën politike të një Kryeministri apo të një partie që qeveris për të bërë zgjedhje blic.  Është padyshim në të drejtën e tyre politike të kërkojnë e gjejnë zgjidhje. Ashtu siç edhe PD e Bashës ishte në të drejtën e vet të kërkonte shtyrje zgjedhjeve vendore të 2019-s.  Unë vetë jam në favor të zgjedhjeve.

Por nuk kuptoj fare, po fare fare as Metën dje, kur lëshoi dekret për anulimin e zgjedhjeve e as Begajn sot që dekreton zgjedhje pa vend vakant.

Që të dy kanë dhunuar kushtetutën e shkruar!

Presidenti i Republikës është shtet, jo pushteti.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Edi Rama vendosi të vazhdojë traditën për t’iu fshehur përballjes, për t’i ikur llogaridhënies!

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka folur pwr diskutimet në mbledhjen e …