Gozhda e fundit në qivurin e Shëndetësisë shqiptare!

Nga Erin DASHO

Ilir Beqja pas hekurave, sikundër edhe Lali hajdut i Boratit; Tigri në arrati dhe një aradhë përgjegjësish dhe bedelësh të dënuar, në arrest apo nën hetim, duhet të kishin shërbyer si mesazh se koncesionet e qeverive të Boratit nuk janë një sport i lehtë.

Diku një oligark fiton qindra milion euro nga taksat e shqiptarëve, diku në Qipro, Ishujt Kajman, Aruba, etj., ka llogari anonime që mbushen, por ama dikush edhe “paguan” për zullumet dhe zullumqarët.

Kaq do të mjaftonte që një i posaardhur në krye të një institucioni të largohej si djalli nga temjani prej çdo përmendjeje të termit “koncesion”. Në qeverisjen e Boratit, kjo fjalë përkthehet me siguri matematikore në telashe, hetime, arrestime, arrati apo burg!

***

Nuk më rezulton se ndonjë tjetër zë kritik përveç meje të ketë thënë fjalë mirëseardhjeje për ministren e re të shëndetësisë. Ndonëse nuk para jap shumë shpjegime për mendimet e mia, disa miqve të afërt u sqarova se ministrja Sala sillte disa risi që duheshin vlerësuar. Këtu do të përmend vetëm dy.

Së pari, aureola e eminencës ndërkombëtare në një fushë të rëndësishme të mjekësisë klinike, si imazheria diagnostike.

Së dyti, fakti që kishte kaluar një pjesë të madhe të karrierës së saj në spitale prestigjiozë në Itali dhe Angli.

Sigurisht, listova edhe rezervat, ku theksova se backgroundi klinik nuk mjafton për të qënë një ministër i suksesshëm, pozicion në të cilin nevojiten njohuri të thella të politikave shëndetësore, përvoja menaxhuese dhe, mbi të gjitha, vizion dhe vullnet politik.

***

Një nga bisedat që veçova pas asaj që u perceptua si “lavdërim” nga ana ime i ministres së re, ishte telefonata me një mik të afërt i cili njeh mirë skenën dhe prapaskenën e sistemit shëndetësor shqiptar.

Pyetja e tij e drejtpërdrejtë ishte: “A ka ardhur ministrja e re për të vazhduar trendin e koncesioneve?” Kjo pyetje më erdhi e çuditshme dhe ju përgjigja pa u menduar gjatë, “Miku im, me Beqen në burg, nuk beson se i shkon mendja kujt të firmosë koncesione.”

Me sa duket paskam qënë i gabuar…

Një investigim gazetaresk tregon se ndoshta është duke u përgatitur goditja e shekullit, dhënia me koncesion e QSUT-së, një projekt që vlerësohet rreth 90 milionë Euro në vit, çka për një kohëzgjatje 10-vjeçare do të përkthehej në një kontratë 1 miliard Euro!

Historia ngjan e përsëritur.

Fillon me fjalë të bukura për partneritet ndërkombëtar, për “eksperiencë izraelite”, për “menaxhim sipas standardeve evropiane”. Në sfond shfaqen profesorë e ambasadorë, organizohen fotografi e konferenca. Pas fasadës, si gjithmonë, qëndrojnë oligarkët që mjelin prej vitesh sistemin shëndetësor.

Edhe skenari klasik i degradimit të qëllimshëm mbetet po i njëjti.

Fillimisht, institucioni publikohet si “i dështuar”, pastaj zhytet në borxhe, më pas shpallet “i pamenaxhueshëm” dhe më në fund i jepet me koncesion privatit në emër të eficiencës dhe mirëmenaxhimit.

Sipas hetimit në fjalë, pikërisht QSUT-ja, e vetmja pjesë ende gjysmë funksionale e sistemit e sistemit spitalor shqiptar, po përgatitet për tu bërë preja apo trofeu i radhës së oligarkëve.

***

Të kuptohemi! QSUT e sotme është një institucion i dështuar!

Në tetë vitet e para të qeverisë së rilindjes, ajo u menaxhua nga kimistë dhe klarinetistë! Më pas, për katër vjet ndërroi pesë ose gjashtë drejtorë.

Në janar u promovua praktika e padëgjuar e emërimit të një bashkëdrejtori turk; u përmendën edhe emra të njohur spitalesh italiane apo spitali i Shebës si partnerë të mundshëm në menaxhim.

Këto lëvizje kaotike nuk bëjnë gjë tjetër, veçse konfirmojnë faktin se menaxhimi i QSUT-së ka dështuar. Por ama jo se ky institucion është i pamenaxhueshëm!

Përkundrazi!

Një menaxher i aftë, me përvojë, me njohuri të shëndosha të sistemit dhe parimeve të menaxhimit shëndetësor, me mbështetjen e duhur, kryesisht në fushën e modernizimit, digjitalizimit dhe mekanizmave të pagesës, do ta vendoste në shina QSUT-në brenda pak muajve.

Por nuk është kjo, ajo që i intereson bandës së boratëve!

Boratëve u intereson që QSUT dhe gjithë sistemi shëndetësor shqiptar të rrënohet!

Të shkatërrohet!

Të copëtohet!

Pasi nga QSUT janë zhvatur sterilizimi dhe laboratori, le t’i jepet një e shtyrë tjetër drejt greminës për t’ja ofruar më pas në pjatë argjendi oligarkëve!

***

Sigurisht që investigimi në fjalë mbetet një indicije, një dyshim. Mund të jetë i vërtetë, mund të mos jetë.

Por, nëse materializohet, dhënia me koncesion e QSUT-së do të ishte gozhda në qivur për shëndetësinë shqiptare; akti i fundit i kalimit të atij që dikur quhej sistem shëndetësor në duart dhe xhepat e një grushti oligarkësh!

Për ta rrjepur, ndërkohë që shqiptarëve u është rezervuar vetëm një fat, të vuajnë dhe të vdesin në mungesë të asaj të drejte bazë që ua njeh Kushtetuta, por ua mohojnë boratët!

Dhe kushdo që do të bëhet bashkëfajtor në këtë ndërmarrje, ta ketë të qartë se do të damkoset përjetësisht!

Sepse ky është rasti kur vepron jo vetëm drejtësia njerëzore, por edhe ajo hyjnore…

About Redaksia

Check Also

Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp

Nga Luçiano BOÇI Kjo nuk është më politikë dhe kjo nuk është lojë fjalësh. Kjo që …