Fillimi i Vitit të Ri Akademik dhe Dështimi i Politikave Arsimore të Qeverisë!

Nga Bujar Leskaj

Sot është 6 Tetori, data që shënon nisjen e vitit të ri akademik. Në këtë ditë, studentët në të gjithë Shqipërinë ulen në auditoret e universiteteve për të nisur një kapitull të ri të jetës së tyre arsimore. Por, për fat të keq, kjo ditë nuk është më një ditë shprese dhe perspektive, por një pasqyrim i gjendjes së rënduar në të cilën ndodhet arsimi i lartë në vendin tonë.

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, nuk mund të mos ndalem në një realitet alarmant që prek qytetin tim, Vlorën, dhe veçanërisht Universitetin e Vlorës. Ky universitet, që dikur ishte krenaria e jugut dhe një qendër e rëndësishme akademike, sot po përballet me sfidat e politikave jo të suksseshme, të dështuara të arsimit, pavarësisht përpjekjeve, punës e përkushtimit të stafit pedagogjik e studentëve. Nuk e them këtë me dëshirë, por sepse është një e vërtetë që nuk mund të fshihet më.

Sot, në Universitetin e Vlorës, edhe pse sipas regjistrimeve të këtij viti ka një rritje me 15%, rritje kjo që rikuperon pjesërisht uljen e numrit të studentëve në 2-3 vitet paraardhëse; disa degë si kimia, fizika dhe gjuha italiane vazhdojnë të jenë në krizë të thellë dhe rrezikojnë mbylljen. Dega e matematikës ka më pak studentë se gishtat e njërës dorë. Situata është po aq shqetësuese në degët e mësuesisë dhe sociologjisë, ku regjistrimet janë minimale.

Një nga të vetmet degë që regjistron interes është ajo e Infermierisë .Por edhe këtu, shumica e studentëve e shohin këtë arsimim si pasaportë për të emigruar sapo të diplomohen.

Kjo situatë nuk është rastësi. Është produkt i drejtpërdrejtë i politikave arsimore të dështuar të qeverisë aktuale. Në programin e Rilindjes të vitit 2013, premtuat që shpenzimet për arsimin do të arrinin 5% të PBB-së. Sot, pas më shumë se 10 vitesh në pushtet, ato mbeten në vetëm 2.2% të PBB-së.

Në vend të reformave thelbësore, kemi parë vetëm ndërhyrje kozmetike. Ligji i fundit për studentët e mjekësisë, i miratuar në fund të korrikut, është një shembull tipik i politikave regresive dhe dritëshkurtra, që nuk e prekin thelbin e krizës në arsim.

Sot kemi më pak nxënës, më pak maturantë, më pak studentë dhe, për pasojë, më pak të ardhme. Në Maturën Shtetërore të vitit 2013 morën pjesë rreth 46.000 maturantë, ndërsa në maturën e vitit 2025, vetëm 27.000, një rënie me 19.000 maturantë.

Ndërmjet viteve 2022 dhe 2025, numri i nxënësve në shkollat shqiptare ka rënë me mbi 60.000 krahasuar me para 6-7 vitesh. Kjo nuk është thjesht statistikë, është alarm kombëtar.

Kjo rrjedhje masive e të rinjve nën 18 vjeç dhe atyre deri në 27 vjeç lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shpresës, papunësinë, varfërinë dhe pamundësinë për të përballuar një arsim të ashtuquajtur “falas”, i cili në praktikë rezulton i paarritshëm për shumë familje shqiptare.

Mësuesit tanë ndodhen sot në një situatë të vështirë. Të ngarkuar me burokraci të panevojshme, të lënë vetëm përballë sfidave të mësimdhënies dhe të diskriminuar veçanërisht në arsimin privat, ku paguhen si punëtorë të pakualifikuar, me sigurime minimale dhe pa pagesë gjatë pushimeve të verës.

Është koha për të pranuar se arsimi shqiptar është në krizë të thellë dhe nuk mund të trajtohet më me masa sipërfaqësore. Politikat e ndjekura nga kjo qeveri, nga ky sekt politik që e trajton arsimin si “mall konsumator”, jo vetëm që nuk kanë sjellë përmirësim, por kanë thelluar problemet ekzistuese.

Sot është dita për të reflektuar. Nëse nuk e bëjmë tani, pasojat do të jenë të pariparueshme për brezat që vijnë, për ekonominë, për shoqërinë dhe për vetë të ardhmen e Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Peleshi i pambuktë dhe parlamenti prej leshi që s’ka turp të ketë turp

Nga Luçiano BOÇI Kjo nuk është më politikë dhe kjo nuk është lojë fjalësh. Kjo që …