Ky është autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit

Personi që shihni në foton e mësipërme është 30-vjeçari Elvis Shkambi nga Shkodra, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit.

Ai qëlloi me 3 plumba drejt gjyqtarit, dy prej tyre në gjoks dhe një një bark, ndërsa magjistrati ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës, ku dhe u konstatua vdekja e tij.

Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në gjyq me Shkambin. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën

Elvis Shkambi kreu krimin, pasi xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku janë të strehuar 31 familje.

Familja Shkambi pretendon pronësinë mbi atë godinë, teksa gjyqi i sotëm kishte të bënte me një seancë për masat administrative të vendosura nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën, por kanë arritur ta fitojnë gjyqin edhe në shkallën e dytë të gjyqësorit.

Konflikti për çështjen e pronësisë

Konflikti për pronën zvarritet gjyqeve prej disa vitesh tashmë, madje Gjon Shkambi e kishte denoncuar historinë edhe nëpër media. Sipas pretendimit të xhaxhait të tij, Gjon Shkambit, ai thoshte se kishte fituar në Shkallën e Parë, ndërsa Apeli ia ka kthyer për rigjykim, pasi në dosje i mungonin dy proces-verbale dhe akti i ekspertimit.

Ai pretendon se pala tjetër me dokumente të falsifikuara vazhdon të qëndrojë në ndërtesën e Gjonit.

Prona për të cilën bëhet fjalë është Shkolla e Rezervave në Shkodër, pronësinë e të cilës e pretendon familja Shkambi. Në atë godinë banojnë edhe 31 familje të tjera, të cilat Gjon Shkambi (xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit) kërkonte të nxirreshin jashtë, sepse sipas tij, qëndronin aty pa të drejtë, e kishin zaptuar dhe shfrytëzonin pronën e tij.

Në vitin 1992, 31 familjet familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkambit janë të falsifikuara

Në vitin 2020, 31 familje në lagjen Skënderbeg në Shkodër u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit.  Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Në atë kohë doli një pronar. Gjon Shkambi pretendoi të ishte pronar i godinës dhe tentoi të futej në godinë. Banorët e akuzuan në atë kohë se ka dokumente false.

Gjyqi për pronën mendohet të ketë qenë edhe shkak i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir,të cilët ishin pala tjetër në këtë proces gjyqësor për pronën.

About Redaksia

Check Also

Zbardhen amendamentet e PD për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Partia Demokratike ka kërkuar ndryshime në vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën …