Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat tha se, përdorimi i drejtësisë si armë politike nga narkoshteti është kriminalizimi dhe dështimi i saj më i madh që Ramaduro i ka bërë këtij sistemi.
Berisha u shpreh se përdorimi i drejtësisë si armë politike nga “narkoshteti” përbën kriminalizimin dhe dështimin më të madh që qeveria “Ramaduro” i ka bërë këtij sistemi.
“Duke theksuar përsëri se asgjë nuk përligj krimin horror, ekzekutimin e gjykatësit në sallën e gjyqit, por askush nuk mund të mohojë se ai krim makabër dëshmon për shkallën e tmerrshme të korrupsionit të gjithanshëm që ka pushtuar vendin, dhe në rastin konkret, sistemin e drejtësisë, siç faktohet kjo nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare.
Sot ryshfeti dhe gjoba për qytetarin shqiptar në sistemin e drejtësisë është shumëfishuar krahasuar kjo me çdo kohë para saj.
Qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë qimet e kokës vetëm e vetëm për të mundur me afrue shqyrtimin e dosjes së tyre nga gjykata.
Pale pastaj për vendimin.
Sot, dosjet e prokurorëve dhe gjykatësve janë objekt falsifikimesh, manipulimesh, zhdukjesh dokumentesh, krimi flagrant pra, absolutisht njëlloj si në kohën kur ato administroheshin nga hetuesit e sigurimit të shtetit apo gjykatat popullore të diktaturës.
Së fundmi theksoj se asgjë nuk përligj absolutisht asgjë, marrjen e jetës së një njeriut, aq më tepër të një gjykatësi në drejtësi, por përdorimi i drejtësisë si armë politike nga narkoshteti është kriminalizimi dhe dështimi i saj më i madh që Ramaduro i ka bërë këtij sistemi.
Kurrë ndonjëherë drejtësia jonë nuk ka qenë në gjendje dramatike që është sot”, tha Berisha.