Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë konferencës për shtyp tha se, Rama po shfrytëzon vrasjen e një gjykatësi për të kaluar kodin e narkodiktaturës!
Berisha tha se, ngjarja është pasojë direkte e mungesës totale të përgjegjësisë shtetërore dhe korrupsionit të thellë institucional, e jo e boshllëqeve ligjore, siç po përpiqet të justifikojë qeveria.
“Së pari, po të kishte minimumin e përgjegjësisë, ngjarja nuk mund të ndodhte kurrë në sallën e gjykatës së Apelit.
Po pikërisht se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie dhe nuk mban askush përgjegjësi, Ramaduro thotë se fajin e ka Kodi Penal.
Ai kod që lejon dënime nga më të mëdhatë.
Ministrat, apo pseudoministrat e tij, në kor, thonë se fajin e ka arma pa leje.
Po njerëz të shpifur si këta nuk mund të ketë, të turpshëm.
Këta turpërojnë qytet, fshat, vend, krahinë, fis dhe çdo gjë.
Këta janë… se e si të vrapojnë…
Kjo është një përpjekje e Edi Ramës për të kaluar Kodin Ramaduro-Rakipi. Kodin e narkodiktaturës.
Shfrytëzon gjakun, jetën e një gjykatësi për të kaluar kodin e narkodiktaturës.
Nuk ka asnjë mungesë në kod. Asnjë mungesë.
Si mund të ketë?
Kush e pengon detektorin? Funksionimin e tij? Kontrollin me detektor?
Kush e pengon që të ketë roje salla e gjyqit? Kush i pengon këto?
I pengon korrupsioni dhe mospërgjegjësia.
Shikoni sa i papërgjegjshëm, ky që katandisi drejtësinë në gjendje katastrofale me Sorosin, në këtë gjendje ku qytetari duhet të presë 15 vite për drejtësi, qytetarët janë privuar nga procesi ligjor i drejtë që ndodh në kohën e duhur.
Ky është kusht në konventa. Gjykimi nuk jepet përnjëherë, do kohën e vet. Por kurrë 15 vite.
Vetë drejtuesit e këtyre institucioneve kanë deklaruar se do 15 vite një dosje në apel për t’u shqyrtuar.
Vetë ata kanë deklaruar, me përgjegjësi, se nuk ekziston procesi gjyqësor më.
Çdo jurist e di që një vendim që jepet pas 15 vitesh nuk ka asnjë vlerë më.
Këto nuk e justifikojnë vetëgjyqësinë, por kjo është një katastrofë, ky është një falimentim i sistemit ekzistues.
Këtë falimentim të sistemit ekzistues, Edi Rama përpiqet ta maskojë me kodin. Jo mor. Ai kod lejon dënimin përjetë. Çfarë kërkon nga një kod tjetër ti?
Me këtë kod janë dënuar me burgim përjetë dhjetëra që i ka liruar Edi Rama mbrapa.
I ka liruar ai i gjati, e dëgjuat të Rumin që thoshte me atë të gjatin jemi marrë vesh.
Kush është ai i gjati? Erion Braçe është ai i gjati?
Më thoni pak se mediat heshtën, nuk dolën me tituj: kryeministri në marrëveshje me Rumin. Jo, jo.
Kjo është hipokrizi, ky është tmerr.
Është të shfrytëzosh vrasjen e një gjykatësi, të vrasësh për së dyti në këtë mënyrë. Shkoi ai, u fut, ia numëroi sa dha vendimin”, u shpreh Berisha.
