Berisha: Vrasja e gjyqtarit Kalaja krim shtetëror, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në narkoshtetin shqiptar

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët tha se, vrasja e gjyqtarit Kalaja është krim shtetëror, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në narkoshtetin shqiptar.

Ai theksoi se kjo vrasje tronditëse, e kryer brenda një institucioni të drejtësisë, është një tregues i qartë i pasigurisë ekstreme që mbizotëron në vend, të cilin e përshkroi si “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

“Duke ruajtur ndjeshmërinë e plotë ndaj reagimeve që më pëlqejnë apo nuk më pëlqejnë në tërësi dhe në veçanti ndaj rastit konkret, dua të përsëris qëndrimin tim të prerë se nuk pajtohem kurrë me marrjen e jetës dhe aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye, ndaj dhe kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit dhe përsëri shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja.

Por me këtë rast dua të theksoj se ekzekutimi publik në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja sikur të ishte në një kafene apo mejhane të qytetit, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Në këtë kuadër, vrasja në sallën e gjyqit e gjykatësit Kalaja ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por se vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjitha përgjegjësive dhe detyrimeve shtetërore, qoftë edhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës dhe veprimtarisë së zyrtarëve të shtetit brenda institucioneve të tyre.
Kjo ka vetëm një shpjegim, zëvendësimin e shtetit, e ligjit me Maliqin”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Agron Shehaj mbështet Binajn për Tiranën/ Jam 100% i bindur se mund të fitojmë!

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka deklaruar mbështetjen e tij për kandidatin e pavarur …